11 JANAR 2015 – Prokurori Ettore Cardinali i Prokurorisë së Barit ka mbërritur në Tiranë për të hetuar së bashku me kolegët shqiptarë tragjedinë e 28 dhjetorit 2014. Në këtë tragjedi, trageti Norman Atlantic u përfshi nga flakët dhe për rreth 2 ditë vazhdoi të digjej në ujërat territoriale shqiptare përballë Vlorës.
Deri tani janë 14 viktima të sigurta, por numri i tyre besohet se është më i madh. Prokurori barez do të hetojë në Shqipëri në disa pista. Ai do të hetojë nga këndvështrimi shqiptar se cfarë ndodhi me anijen në flakë, kur gjendej në ujërat territoriale shqiptare përballë Vlorës. Do të hetojë mbi barkën e shpëtimit të tragetit, që u gjet e braktisur ( pa njerëz apo kufoma brenda) në një plazh afër Vlorës. Familjarët e Carmine Balzano-s, njërit prej kamionistëve, që rezulton i zhdukur, dyshojnë se i dashuri i tyre mund të ketë përfunduar në Shqipëri .Prokurori do të hetojë edhe këtë supozim të familjarëve të të zhdukurit. Prokurori do hetojë po ashtu përfshirjen e rimorkiatorit civil shqiptar, që u përpoq ta rimorkionte tragetin për në Portin e Vlorës. Në këtë kontekst prokurori do të hetojë edhe për vdekjen e dy marinarëve shqiptarë dhe plagosjen e një të treti, ndërsa rimorkiatori shqiptar po përpiqej të rimorkionte tragetin në flakë drejt Portit të Vlorës.
Në këtë vizitë të prokurorit Italian Cardinali të tërheq vëmendjen fakti, që prokuroria shqiptare, Qeveria shqiptare si edhe Ambasada Italiane në Tiranë mbajnë heshtje varri, sikur prokurori barez të ketë ardhur “incognito” (fshehtas) në Shqipëri jo sikur po kryen një detyrë zyrtar në bashkëpunim me kolegët shqiptarë. Bashkëpunimi i këtij tipi midis përfaqësuesve të drejtësisë shqiptare dhe italiane nuk është aspak një gjë e re. Fiks 21 vjet më parë gjykatësja italiane Evelina Canaglia në kuadrin e një misioni rogator erdhi në Shqipëri për të hetuar aferën e firmës mashtruese “Levante e CO”, ku ishin përfshirë zyrtarë të lartë shqiptarë përfshirë edhe ish Kryeministrin komunist Fatos Nano. E re, në të gjithë këtë mesele është heshtja italo-shqiptare për këtë mision të prokurorit barez në Tiranë.
/gj.th.agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





