29nëntor 2015 – Veç pagës sime si prokuror në 20 vjet nuk kam marrë asnjë përfitim, në asnjë moment. Prokurori i Fierit, Petrit Vukaj, foli vetë dje në gjykatën e Krimeve të Rënda, ku u vendos masa e sigurisë burg pa afat. “Kush pretendon të kundërtën, jam i gatshëm të ballafaqohem në çdo kohë me të”, citon Panorama fjalët e prokurorit të akuzuar se ka marrë rryshfet prej 300 mijë lekësh për të liruar shoferin e një aksidenti me vdekje. Ai ka shpjeguar dhe kërkesën e tij në Gjykatën e Fierit, për pezullim të dënimit me burg të Elton Xhemalit. Sipas tij, familjet e të dëmtuarit dhe të akuzuarit ishin pajtuar me njëra-tjetrën.
PERGJIMET
Përfaqësuesja e Prokurorisë ka prezantuar para gjykatës një sërë provash shkresore, raporte vëzhgimi dhe përgjimi, për të provuar dyshimet e ngritura ndaj Vukajt. Në një prej këtyre vëzhgimeve ambientale, prokurori Petrit Vukaj është ulur në një tryezë me vëllain e të pandehurit Elton dhe mikun e tij, konkretisht me shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari.
Rezulton se ai ka shkëmbyer numrat e telefonit me Gazmir Nelollarin dhe krijon kontakte telefonike dhe takime të drejtpërdrejta fizike me të. Sipas Prokurorisë, Gazmir Nelollari i kërkon para Arjan Xhemalit me qëllim për t’ua dhënë funksionarëve të drejtësisë, duke përcaktuar edhe shumën konkrete që duhet. Nga hetimi i mëpasshëm ka rezultuar se vëllezërit Xhemali e konkretisht Arjani ka mbledhur paratë te familjarët dhe ia ka dorëzuar Gazmirit.
Ky i fundit ka konfirmuar tek Arjani dhe tek Eltoni se paratë janë dhënë te funksionarët e drejtësisë, e konkretisht se i janë dhënë prokurorit. Sipas Prokurorisë, Gazmiri pas kontakteve me prokurorin ka siguruar tek Eltoni e Arjani se puna është kryer me sukses.
/portali DurresLajm/





