Ku është 50- vjeçari, kapiteni i anijes, Dhimitër Malja?

Marinari Luan Mema, 36-vjeçari i larguar një muaj më parë nga porti i Durrësit, më 18 qershor, ka prekur sërish tokën shqiptare, por këtë radhë nga ajri.

Luan Mema është sjellë me avion në aeroportin e Rinasit nga autoritet egjiptiane dhe Ambasada Shqiptare atje dhe falë angazhimit të Ambasadës, ai u pajis me dokumentet e nevojshme.

Në aeroport, policia kufitare ka bërë dorëzimin e tij në policinë e Durrësit, mëngjesin e sotëm, pasi në skedën policore rezultonte i zhdukur.

Një prokuror i Krimeve të Rënda pritet të mbërrijë nga momenti në moment në polici, për të marrë në pyetje marinarin e anijes “Çelepia 2”.

36-vjeçari do të merret në pyetje për të hedhur dritë se çfarë ngjau me anijen “Çelepia 2”. Ku është kapiteni i anijes Dhimitër Malja? Si përfundoi peshkarexha  durrsake në Egjipt? Çfarë roli pati Adel Sallam e çfarë roli Luan Mema në këtë pengmarje? Ku është Dhimitër Malja?