28 nëntor 2015 – 30 ditë paraburgim kërkoi Prokuroria e Kosovës për deputetin e Vetëvendosjes. Albin Kurti gjendet në prokurorinë Themelore në Pallatin e Drejtësisë.

Ai dyshohet për tri vepra penale, “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, “mbajtje të armës” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas Prokurorisë departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë deputetit Kurti i ka dërguar ftesa për t’u paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes, për të dhënë deklaratën e tij, lidhur me dyshimet që i vihen në barrë.

Mirëpo, i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës së Prokurorit të Shtetit, andaj gjyqtari i procedurës paraprake me kërkesë të prokurorit të çështjes ka lëshuar urdhërarrest.

Policia e Republikës së Kosovës ka zbatuar sot urdhrin e Gjykatës dhe e ka sjellur të pandehurin Kurti në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, i cili ka refuzuar të jep deklaratën e tij para prokurorit të rastit.

Prokurori ka ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Kurti dhe kjo kërkesë është parashtruar, pasi që i njëjti nuk iu është përgjigjur ftesës së prokurorisë, ka përsëritur kryerjen e veprës penale dh e ka qëndruar në arrati.

Prokurori i Shtetit siguron opinionin publik se është i vendosur që të respektoj të gjitha dispozitat ligjore për secilin rast, pavarësisht së kush është i dyshuar për vepër penale, duke respektuar dinjitetin e secilit individ, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë e të paanshme, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të arrestuarit e tjerë. 

/portali DurresLajm/