Me hematoma në syrin e djathtë, i fashuar nga mesi e lart, por në gjendje stabël shëndetësore, me të afërm dhe miq që nuk i ndahen asnjëherë nga spitali, me kolegë që e vizitojnë shpesh gjatë ditëve dhe netëve në repartin e ortopedisë ku gjendet prej ditësh, prokurori Arjan Ndoja po përpiqet të rimarrë veten.
Në dhomën e katit të dytë, pranë shtratit i qëndrojnë shumë njerëz të afërm. Ndërsa pas dere ndodhen dy punonjës policie të komisariatit të Durrësit, të cilët e kanë marrë në mbrojtje që prej ditës kur mbërriti i plagosur në spital.
E pyesim për gjendjen shëndetësore dhe prokurori thotë se më shumë se plagët e marra nga plumbat, ka dhimbje nga aksidenti.
“Makina u përplas fuqishëm në kanal dhe ne kemi humbur ndjenjat. Unë nuk e mbaj mend si përfunduam aty, çfarë ndodhi, si kemi dalë nga makina. Automjeti i përket sime shoqeje. Është i bashkëshortes. Ia kam blerë unë dhe atë ditë ia kisha marrë dhe po udhëtoja me të.
Dëgjova të thonin që shoferi është ish-polic dhe shumë të tjera si këto. Ai ështe një djalë u papunë, që nuk ka punuar kurrë në polici e nuk ka asnjë të kaluar.
Nuk i kam borxh askujt, as që bëhet fjalë. Kam investuar 20 vjet për profesionin dhe nuk është kjo ajo që prisja. Intervistë do të jap në një moment tjetër, sot do flasim pa kamera, si qytetarë që jetojmë prej 20 vitesh në Durrës. Kam 20 vjet në këtë qytet, jetoj dhe punoj këtu. Mendoj që policia duhet ta zbardhë e të vërë drejtësi, sepse nuk u qëllua ndaj Arjanit, u qëllua ndaj prokurorit. Unë nuk kam televizor në dhomë, as që dua të kem. Më kanë informuar të afërmit se mediat po flasin pa fund me emisione dhe lajme. Janë trillime të gjitha. Unë do t’i lë të flasin dhe në fund do të flas vetë në një moment të dytë”,- thotë prokurori Ndoja për DurrësLajm.
E pyesim se në media është përhapur një lajm se në makinën me të cilën udhëtonte janë gjetur dokumentet e vjedhura në prokurinë e Durrësit, por Ndoja thotë se nëse do ekzistonte një gjë e tillë, atëherë ai do ishte arrestuar nga efektivët, do ishte prangosur në spital.
“Në një moment të dytë do dal para kameras të sqaroj situatën dhe përbaltjen që po më bëhet. Mua më njohin të gjithë në Durrës”, tha prokurori gjatë takimit me të.
K.H.





