Prokurori në detyrë i Uashingtonit deklaroi se nuk ka “prova të drejtpërdrejta” që sugjerojnë se protestuesit që sulmuan Kapitolin kishin formuar “grupe, të cilat do të kapnin e vrisnin” ligjvënës brenda ndërtesës.

Komentet e Michael Sherwin u duk se ishin një përpjekje për të sprapsur dyshimet e ngritura në një padi të enjten nga disa prokurorë federalë në Arizona, sipas të cilëve protestuesit kishin për qëllim “të kapnin dhe eleminonin zyrtarë të zgjedhur”.

Sherwin u shpreh se zyra e tij po udhëheq përpjekjen e prokurorisë, por ndërsa zyrat lokale ndihmojnë për të identifikuar të dyshuarit në zonat e tyre, mund të ketë pasur edhe një “shkëputje” në provat e siguruara deri më tani lidhur me çështjet. Teksa vazhdojnë hetimet, mbrëmjen e së enjtes, prokurorët federalë ngritën pretendime të gjera në një padi gjyqësore e i kërkuan një gjykatësi që të miratonte një urdhër ndalimi ndaj Jacob Chansley, shtetas amerikan nga Arizona.

Ky i fundit mbështet e përhap teoritë konspirative të QAnon. Ai u fotografua ulur në tryezën e Nënpresidentit Mike Pence në Senatin amerikan ndërsa mbante një kapele me brirë mbi kokë. Chansley tani pritet të dalë përpara një gjykate federale.