Prokurori Bujar Sheshi ka mohuar akuzat e opozitës se ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit.
Në një bisedë të shkurtër telefonike mesditën e të shtunës, prokurori Bujar Sheshi i tha BIRN se do të reagonte kur të merrte dokumentet zyrtare, por kundërshtoi akuzat në media dhe nga Partia Demokratike.
“Është shpifje, nuk kam qenë kurrë anëtar i Sigurimit të Shtetit”, tha ai.
Partia Demokratike ka publikuar sot një shkresë të Autoritetit të Dosjeve ku thuhet se anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Bujar Sheshi, rezulton me dosje si bashkëpuntor i sigurimit. Deputeti Gent Strazimiri tha se organet e vettingut e kanë anashkaluar këtë fakt vetëm për t'i shërbyer kryeministrit Edi Rama, të mbajë nën kontroll organet e reja të drejtësisë.





