TIRANË- Prokuroria ka kërkuar sot 24 vite burg për vrasjen e Qerim Malokut, autor i të cilës është Ilir Xhakja, personi që vrau pak kohë më parë edhe komisarin e Shijakut Adem Tahiraj. 

Në seancën e gjykimit që nisi sot në Gjykatën e Apelit, prokuroria argumentoi se vendimi që i dha pafajësinë Ilir Xhakjas për vrasjen e Qerim Malokut ka qënë i njënshëm dhe subjektiv. 

Ishte gjyqtari Neritan Tabaku, ai i cili i dha pafajësinë Ilir Xhakjas në vitin 2002 për këtë krim. 

Vrasja për të cilën pritet të dënohet Xhakja është kryer në datë 26.07.1998, rreth orës 23:00, në vendin e quajtur Katund Sukth. Viktima është goditur me breshëri automatiku nga persona të paidentifikuar.

Pas disa kohësh janë sekuestruar disa armë në një bunker dhe nga ekspertimi ka rezultuar se disa gjurmë i përkisnin pikërisht Ilir Xhakes.

Çështja u hetua fillimisht në Durrës, më pas te Krimet e Rënda. Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e dënoi me 21 vite burg, Apeli e la në fuqi, ndërsa Gjykata e Lartë e riktheu për rigjykim.