Prokuroria e Tiranës pritet të sekuestrojë materialin që u transmetua i plotë edhe nga selia e Partisë Demokratike të videodëshmisë të ish-oficerit të policisë, Emiljano Nuhu.
Intervista e tij do t’i bashkangjitet dosjes hetimore që ka regjistruar Prokuroria, pas kallëzimit të bërë nga ish-oficeri më 1 gusht për kanosje për shkak të detyrës.
Versioni i dhënë prej tij në intervistën për një media lokale do të krahasohet me dëshminë që ish-oficeri ka bërë për oficerët e Policisë Gjyqësore.
Ai deklaroi se ishte kërcënuar me pistoletë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja.
Prokuroria do të verifikojë nëse përputhen emrat e personave që janë përmendur nga Nuhu në të dyja dëshmitë.
Edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka nisur verifikimet pas kallëzimit më 21 korrik të Xhensila Malokut se ndaj saj është ushtruar dhunë nga ish-i dashuri, për të parë nëse punonjësit e policisë kanë kryer veprimet si duhet apo jo.





