Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Berat ka kërkuar tre vite burg për babanë dhe dy për gjyshen e një të mituri, të cilët keqtrajtuan fëmijën duke e detyruar të publikojë video të pahijshme në rrjetet sociale, përfshirë TikTok dhe YouTube.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka vlerësuar se akuza e ngritur ndaj Armando Kumarakut dhe Natasha Rombulës është e provuar dhe ka kërkuar që të deklarohen fajtorë për veprën penale “keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga Kodi Penal. Sipas prokurorisë, i mituri është ekspozuar ndaj abuzimeve fizike dhe psikologjike, duke qenë i detyruar të fliste në mënyrë banale dhe të përdorte gjuhë të papërshtatshme për moshën e tij, në video që u postuan në rrjetet sociale.
Përveç përdorimit të fjalorit denigrues, fëmija është nxitur të bëhet pjesë e këtyre video-publikimeve pa dëshirën e tij, çka ka shkaktuar një ndikim negativ në gjendjen emocionale dhe psikologjike të tij. Po ashtu, ai është ekspozuar ndaj lëndëve narkotike, një veprim i papranueshëm për moshën e tij.
Në kërkesën e saj, Prokuroria kërkon që Armando Kumaraku të dënohet me 3 vite burg dhe të humbasë përgjegjësinë prindërore, ndërsa Natasha Rombula, gjyshja, të dënohet me 2 vite burgim. Hetimet kanë treguar se ky keqtrajtimi ka sjellë pasoja të rënda në zhvillimin mendor dhe fizik të të miturit, duke i shkaktuar simptoma të çrregullimit të personalitetit antisocial.