DURRES, 19 shkurt 2013 – Prokuroria e Durrësit i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dënimin me 2.5 vite burg dhe gjobë për dy punonjësit e policisë që shoqëronin komisarin e Shijakut, Adem Tahiraj. Prokurori Afrim Hoxha ka dhënë pretencën për oficerin e policisë së krimeve të Shijakut dhe shoferin e Adem Tahirajt, Kastriot Gosturanin e Fatmir Hoxhën duke kërkuar deklarimin fajtor të tyre, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria kërkoi dënimin nga gjykata me 2.5 vjet burg, 600 mijë lekë gjobë, dhe aplikimin e dënimit plotësues të pezullimit nga detyra për një periudhë 3 vjeçare për secilin prej të pandehurve.
Asnjë prej të pandehurve nuk ka marrë pjesë në seancën gjyqësore, dhe ata janë përfaqësuar nga avokatët mbrojtës, të cilët më herët kanë këkruar gjykimin e shkurtuar, kërkesë kjo e pranuar nga gjykata dhe prokurori i çështjes. Shoferi i komisarit Fatmir Hoxha 42 vjeç, po hetohet në arrest me burg, ndërsa oficeri i krimeve Gosturani prej 26 dhjetorit të 2012, po hetohet në gjendje të lirë, me vendim të gjykatës së Apelit.
Në 13 shtator të vitit 2012 në Katund Sukth u vra shefi i komisariatit të Shijakut 50 vjeçari Adem Tahiraj, nga Ilir Xhakja. Oficeri i krimeve dhe shoferi i tij, akuzohen se në momentin e krimit nuk kanë neutralizuar agresorin dhe si pasojë nuk kanë parandaluar vrasjen.
Ndërkohë në Tiranë, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi sot kërkesën e Ilir Xhakjas për gjykim të shkurtuar, duke bërë që i akuzuari si autor i vrasjes së Shefit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj të rrezikojë burgim të përjetshëm.
Avokati mbrojtës i Xhakes kërkoi në seancën e sotme që klientit të tij, t’i bëhet një ekspertizë psikologjike me arsyetimin se në vitin 1994 Xhakja nuk e ka kryer shërbimin ushtarak për shkak të problemeve psikologjike, por kjo kërkesë është rrëzuar nga trupi gjykues.





