Prokuroria e Durrësit ka kërkuar ndihmën e homologëve italianë për të zbuluar zonën dhe vendin, kur u futën dhe u fshehën 282 265 euro në kamionin që drejtohej nga Ferdinat Murikaj. Sasia rekord prej rreth 295 mijë euro u sekuestrua dy ditë më parë në Portin e Durrësit, në dy kamionë të ndryshëm, ku pjesa më e madhe ndodhej pikerisht ne kamionin e drejtuar nga Murikaj.

Burime nga prokuroria, bëjnë te ditur se autoriteteve italiane do i dërgohet një letërporosi, ku do t’i kërkohet informacion për itinerarin që kanë ndjekur shoferët dhe zonat ku ata kanë qëndruar.

Hetuesit janë të bindur se shuma e konsiderueshme e parave është përfituar nga trafiku i drogës dhe paratë e sekuestruara i përkasin grupeve kriminale shqiptare që e kanë shtrirë aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm në vendet e BE-së.

Kthimi i përgjigjes së letërporosisë nga Italia pritet që të nxjerrë në dritë detaje të reja mbi sekuestrimin e shumes së konsiderueshme të eurove. Dy shoferët Ferdinant Murikaj, i arrestuar, dhe Aldo Lika, i cili po hetohet në gjëndje të lirë, nuk kanë dhënë asnje ndihmë për hetuesit, pasi gjatë marrjes në pyetje ata kanë mohuar se kanë pasur dijeni se brenda kamionit me të cilin ishin duke udhëtuar ishin rreth 295 mijë euro.

Ndërkohë, vijon ende të jetë në kërkim Erjon Jovani, pronari i kamionit ku u kapën lekët, person i cili është me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.