Bashkëshortja e 43-vjeçarit Bilbil Hasani, i cili i dha fund jetës në burgun “313” në Tiranë një vit më parë, Mirjeta, ka nisur betejen ligjore me drejtësinë. Viktima, i cili u vetëvar me çarçaf, ndodhej në burg pasi ishte akuzuar për vjedhjen e 1200 lekëve.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria kishte vendosur mosfillim të procedimit për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”.

Por pas ankimit që iu bë në gjykatë nga familjarët e Hasanit, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor, gjyqtari Sokol Pasho vendosi të prishë këtë vendim duke urdhëruar të regjistrohet çështja peale për “shpërdorim detyre” për stafin e 313.

Kjo çështje po shqyrtohet në Prokurorinë e Durrësit, e cila ka vendosur mosfillim hetimi, por bashkëshortja nuk është tërhequr, duke apeluar vendimin. 

Në një deklaratë për mediat pas seances gjyqësore, avokati i Mirjetës tha se do të denoncojë pranë autoriteteve prokurorin e çështjes Afrim Shehu dhe gjykatësin Petraq Curi për vendimin e dhënë.

“Ne do ta ankimojmë çështjen, ne do vëmë në dijeni Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Komisionin e Pavarur të Apelimit, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisionin e Rendit public dhe ne (pala e dëmtuar) do t’i drejtohet nesër organit të prokurorisë së përgjithshme në adresë të prokurorit Afrim Shehu për shpërdorim detyre, që ka konsumuar veprën penale “shpërdorim detyre” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Po për veprën “shpërdorimi i detyrës” do të paditet edhe gjyqtari Petraq Curri.”

Avokati mbrojtës tha më tej se me vendimin e mbylljes së çështjes është rivrarë për së dyti shtetasi Bilbil Hasani.

“Sot me këtë vendim, gjyqtari dhe prokurori, të sapo përmendur nga ana ime, e kanë rivrarë për së dyti shtetasin Bilbil Hasani, i cili nuk jeton më. Dhe ata me këtë vendim po luajnë me fatin e katër viktimave dhe për këto katër viktima, dikush do mbajë përgjegjësi ligjore.”

G.D.