TIRANE, 20 shkurt 2013 – Shtatzënia e 22-vjeçares Florije Peci ka vënë në lëvizje prokurorët e Tiranës, të cilët kanë pyetur vajzën për rreth 2 orë mbrëmjen e djeshme në maternitetin “Mbretëresha Gerladinë”. Mësohet se 22-vjeçarja u është përgjigjur hetuesve, në praninë e një psikologeje për shkak se ajo shfaq probleme të rënda psikologjike që pas aksidentit tragjik të Himarës. Ashtu sikundër pretendojnë familjarët e saj, Florija nuk u ka dhënë as prokurorëve detaje që mund të çonin në identifikimin e personit që ka abuzuar me të. 

Ndërkohë në ambientet e Prokurorisë së Tiranës është paraqitur sot edhe vëllai i Florijes, Gazmend Peci, i cili do të japë dëshminë e tij për ngjarjen e rëndë. 

Prokuroria e Tiranës ka konfirmuar faktin se përveç vëllait të 22-vjeçares janë thirrur për të dëshmuar edhe familjarë të tjerë të saj.
Mjekët kanë konfirmuar se në bazë të analizave dhe kontrolleve gjinekologjike të cilave iu nënshtrua 22-vjeçarja, rezulton se barra e saj ka nisur në fundin e muajit shtator. Florije Peci ka mbërritur në Shqipëri më 11 tetor të vitit 2012, pasi u rehabilitua në një spital në Vjenë të Austrisë. 

Rreth një javë më parë pranë Prokurorisë së Përgjithshme mbërriti kallëzimi penal nga Gazmend Peci, vëllai i Florijes, i cili shkruante në letër se me të motrën është abuzuar seksualisht kur ajo ka qenë në koma, dhe për pasojë ka mbetur shtatzënë.