Prokurorja e Përgjithshëm e shtetit të Nju Jorkut ngriti padi të enjten ndaj Fondacionit Trump, përfshi Presidentin Donald Trump dhe tre fëmijët e tij, duke e akuzuar organizatën bamirëse se ka shërbyer si një bankë personale e Trump për të paguar shpenzime që lidhen me bizneset e tij, me faturat ligjore dhe fushatën elektorale.

Në padinë e paraqitur të enjten në mëngjes, Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Barbara Underwood thekson se Fondacioni Trump ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë dhe nga afër, në shkelje të ligjeve, me ekipin e tij elektoral, gjatë fushatës presidenciale në vitin 2016.

Prokurorja kërkon shkrirjen e Fondacionit Trump. Sipas akt-padisë, pjesa e mbetur e fondeve të organizatës bamirëse, rreth 1 milion dollarë, t’i shpërndahet organizatave të tjera dhe që Trump të paguajë të paktën 2.8 milionë dollarë gjoba dhe dëmshpërblime.

Prokurorja Underwood kërkon gjithashtu që Presidenti Trump të ndalohet që të drejtojë ndonjë organizatë tjetër jo-fitimprurëse në Nju Jork për 10 vjet./VOA