Lajmi: Gjykata e rrethit gjyqësor të Durrësit, me kryetare të komanduar, Joana Qeleshi, në 15-ditshin e parë të korrikut, ka liruar nga burgu 6 të dënuar për krime të rënda, bën të ditur në një dosje të bujshme gazetari i njohur investigativ Leonard Bakillari në portalin investigim.al të SHGD-së (Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi)

 

DURRËS, 9 gusht 2013 – Sipas një raporti konfidencial të Prokurorisë së Durrësit rezulton se vetëm për 15 ditët e para të muajit korrik 2013 gjykata e këtij rrethi ka liruar nga burgu 6 të dënuar për krime të rënda. Stresi e ankthi nga ambientet e mbyllura, gjendja shëndetësore e prindërve dhe kujdesi ndaj fëmijëve janë disa nga argumentet e gjykatës. Bakillari citon zëdhënësin e Prokurorisë së Përgjithshme Albi Serani, që deklaron se “të gjitha këto vendime janë apeluar”. Portali investigim.alshkruan se të gjithë të dënuarit e liruar, sipas prokurorisë, kanë përfituar nga neni 59/a i Kodit Penal, i cili parashikon se i burgosuri mund të vuajë një pjesë të dënimit duke qëndruar në shtëpi. Por në të gjitha rastet, Prokuroria e Durrësit thotë se Gjykata ka shkelur ligjin duke shfrytëzuar vetëm një nga pikat e këtij neni që thotë se dënimi i mbetur apo dënimi i dhënë nuk duhet të jetë më pak se dy vjet heqje lirie. Në një analizë të rasteve të të liruarve nga qelia, organi i akuzës thotë se të burgosurit nuk duhet të përfitonin nga “qëndrimi në shtëpi”. Bakillari citon materialin e prokurorisë: “Theksojmë se për caktimin e vuajtjes së dënimit me “Qëndrim në shtëpi”, gjykata në secilin rast ka marrë parasysh thjesht kriterin ligjor, “ka mbetur pa vuajtur edhe dy vjet burgim” siç parashikon neni 59/a i Kodit Penal, ndërsa nuk ka marrë parasysh asnjë nga kriteret e tjera, që duhet të plotësohen në çdo rast kur aplikohet një dënim i tillë”.

KLD-ja nuk shqetësohet

Portali investigim.al citon gjerësisht raportin e organit të akuzës shtetërore të Durrësit, ku përmenden të gjitha rastet. Bakillari shkruan se lirimi i 6 të dënuarve për krime të rënda në vetëm 15 ditë nuk ka shqetësuar sa duhet Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili nuk ka nisur ende një inspektim në Gjykatën e Durrësit. Bie në sy fakti se KLD-ja emëroi në kohë rekord Joana Qeleshin si titullare të gkykatës së faktit të Durrësit dhe e merr me nge në rastet e shkeljeve flagrante të ligjit.  Elis Kuçi, zëdhënës i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i kontaktuar nga investigim.al tha se në raste të tilla ndiqet një procedurë e caktuar deri në nisjen e një inspektimi ndaj një apo disa gjyqtarëve. Ai sqaroi se materialet denoncuese që mund të vijnë nga media apo ankesat e qytetarëve mblidhen përgjatë muajit dhe më pas është juristi i KLD-së ai që vlerëson nëse ka vend për inspektim apo jo. “Këto materiale vlerësohen nga juristi i institucionit dhe në rast se ka vend për inspektimin e gjyqtarëve, ato u përcillen inspektorëve. Kjo procedurë kryhet çdo fund muaji pasi më parë janë mbledhur ankesat e qytetarëve apo informacionet e bëra publike në media”- tha Kuçi. Shkrimi i plotë në

 

http://investigim.al/raporti-sekret-gjykata-e-durresit-po-liron-vrases-e-trafikante.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/