Prokuroria ka nisur një superhetim për pastrim parash ndaj familjeve kryesore të Elbasanit.

Shefi i prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, ka deleguar drejtuesin e seksionit Erida Kokonozi, për të ndjekur dosjen voluminoze.

Kërkesa për drejtorinë tatimore mban datën  27 tetor 2017 dhe ajo vjen pas regjistrimit të procedimit penal me nr 1542 për veprën penale te “pastrimit te produkteve te veprës penale dhe veprimtarisë kriminale” te parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Prokuroria e përgjithshme e pyetur për këtë çështje nuk pranoi të bënte komente. Por burime pranë organit të akuzës pohuan lidhjen e këtij superhetimi me ngjarjen e mesit të  muajit shtator në Elbasan, kur një makinë “Audi” goditi mjetin e policisë gjatë një aksioni pranë tregut të qytetit.

Hetimet duket se janë zgjedhur në një përmasë të paparashikuar në nisje të dosjes. Ato përfshijnë emrat më të njohur në Elbasan dhe jo vetëm.

Nën hetim për pastrim parash janë edhe persona që kanë qendra tregtare, kompani ndërtimi, kompani transporti, lokale e biznese nga më të ndryshmet.

Bie në sy fakti se shumë prej emrave përbëjnë familje të tëra. Prokuroria dyshon se pronat janë transferuar mes anëtarëve të të njëjtës familje me qëllim fshehjen e te ardhurave.

Ky hetim që prej elitën ekonomike të Elbasanit vjen në kohën kur procesi i vetingut në drejtësi sapo ka nisur por ai do të përfshijë sigurisht edhe lidhjet e biznesit dhe krimin dhe drejtuesit politike në nivel lokal dhe qendror.