TIRANE, 15 prill 2013– Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 17 vjet burg për Nazime Vishën, e cila akuzohet për vrasjen e 45-vjeçarit Fiqiri Muça më datën 13 gusht të 2012-ës.

Organi i akuzës, në pretencë i ka cilësuar si të pavërteta pretendimet e Nazime Vishës, se më 13 gusht 2012 e vrau Fiqiri Muçën për shkak se kërcënohej prej tij.

Sipas prokurorit, viktima dhe e pandehura kanë pasur komunikime intensive dhe të ngrohta deri pak minuta para ngjarjes.

Në përfundim, prokurori kërkoi 17 vjet burg për Nazime Vishën me akuzën e “vrasjes me paramendim” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Ndërkohë familjarët e 19-vjeçares të cilët kanë qënë të pranishëm në seancën gjyqësore kanë kundërshtuar pretencën e organit të akuzës duke kërkuar lirimin e Nazimes.

Ndërsa Gjykata vendosi që seanca e radhës gjyqësore do të zhvillohet në 29 prill ku mbrojtja do të paraqesë konkluzionet e saj.

Ngjarja, ku mbeti e përfshirë 19-vjeçarja Nazime Visha u shënua në datën 13.08.2012 në vendin e quajtur Xhamia në qendër të fshatit Krrabë në Tiranë.

Policia gjeti të vrarë shtetasin Fiqiri Muça, ndërsa nga deklaratat e 19-vjeçares rezultoi se ai është qëlluar me armë zjarri nga Nazimja për t`u vetëmbrojtur. Kjo, sipas Nazimes për arsye se viktima kishte tentuar ta rrëmbente.