Prokuroria e Tiranës ka shpallur konkluzionet përfundimtare për skandalin “Tire” gjatë kohës së Covid 19.
Mësohet se organi i akuzës ka kërkuar 7 vite burg për Tire Alldervishin për veprën penale të “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe që ka sjellë pasoja të rënda.
Ndërkohë bëhet me dije se prokuroria ka kërkuar nga gjashtë vite burgim për infermierët Sheqerije Koci, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj, të cilat akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda dhe shpërdorim detyre.
Prokuroria kërkoi 6 vite burg edhe për sanitaren tjetër Rukije Hoxhaj. Skandali “Tire” u publikua për herë të parë në një emision investigativ dhe nëpërmjet video-përgjimeve u zbulua se ajo duke u prezantuar si infermiere familjareve të pacientëve që ishin të shtruar në spitalin Shefqet Ndroqi, duke u marrë para në kërkim të shërbimit.
Po ashtu “Tire” u filmua nga një vajzë të cilës arriti t’i zhvaste rreth 8 milionë lekë, duke i premtuar se do kujdesej për nënën e saj që ishte me Covid-19. Por pacientja ndërroi jetë. Procesi gjyqësor është zhvilluar me gjykim të zakonshëm prej vitit 2021 kur u zbulua skema me pacientët me Covid.