Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi gjykatës t’i konfiskojë pasurinë ish-deputetit Mark Frroku.
ABC News ka mësuar se prokurori Klodian Braho, në bazë të ligjit “antimafia” ka dorëzuar në gjykatës, kërkesën për konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të ish-deputeti Frroku. Sipas kërkesës së akuzës, Mark Frroku për gjatë periudhës 1998-2013 së bashku me pjesëtarët e familjes kanë krijuar një sërë pasurish të paluajtshme e të luajtshme. Por nga akt-ekspertimi i kryer nga prokuroria, rezulton se ish-deputeti Frroku nuk justifikon me burimet financiare të deklaruara për gjatë 15 viteve shumën prej rreth 1.7 mln euro në total, të cilat ka xhiruar gjatë këtyre viteve. Si pasojë e këtij mosjustifikimi, prokuroria kërkon që pasuria fizike që ish-deputeti disponon aktualisht t’i kalojë në favor shtetit shqiptar.
Kështu, nga akt-ekspertimi i kryer, rezulton në emër të ish-deputetit Frroku janë të regjistruar 7 apartamente në Tiranë, Orikum e Shëngjin dhe 2 garazhde makinash me sipërfaqe totale rreth 838 m2, si dhe një arë me sipërfaqe prej 6000 m2 në Lezhë. Vlera e këtyre apartamenteve, garazheve dhe tokës, sipas akt-ekspertimit kap një shifër për rreth 500 mijë euro. Kjo është edhe pasuria, që sipas prokurorisë, duhet të kaloje në favor të shtetit shqiptar. Prokurori arsyeton në kërkesën e tij, se ish-deputeti Frroku veç akuzës për pastrim të parave në Shqipëri, rezulton i dënuar në vitin 2002 në Holandë me tre vite burg për veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Konfiskimi i pasurisë, sipas akuzës, bazohet në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, i njohur edhe si ligji “Antimafia”. Pasi ish-deputeti Frroku nuk arriti të provojë origjinën e ligjshëm të kësaj pasurie dhe pasurit nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve, apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara edhe pranë institucioneve shtetërore.





