Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Altin Gegës dhe familjarëve të tij, pasi akuzohet për trafik droge në Itali, Holandë dhe Gjermani.
Sipas Prokurorisë, ka dyshime të forta se ky shtetas, ka patur lidhje me grupe kriminale në Tiranë, i fokusuar kryesisht në shpërndarjen e drogërave dhe transportin e mallit e llojit kanabis e kokainë.
“Shtetasi A.G., nga informacionet e marra në rrugë operative, e ka ushtruar këtë aktivitet në fushën e shitjes së kokainës, edhe në shtete të tjera jashtë Shqipërisë, si në Itali, Holandë, por më i fokusuar dhe në mënyrë më intensive në Gjermani.
Paraprakisht nga informacionet e mbledhura në rrugë operative si dhe pas një pune të gjatë, janë identifikuar pasuritë familjare, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike nga shtetasi A.G. dhe dyshohet se lidhen e rrjedhin nga veprimtaria e tij kriminale.
Nga kryerja e veprimeve hetimore e proceduriale për llogari të hetimit pasuror me nr. 67 të vitit 2021, si dhe bazuar në ekzistencën e informacionit apo dyshimit të arsyeshëm se pasuritë e paluajtshme të vendosura në pronësi të tij dhe pjestarëve të tjerë të familjes, dyshohen se janë si rezultat i akordeve kriminale të cilët i përmendëm edhe më lart pasi janë të pajustifikuara në raport me të ardhurat dhe fitimet nga veprimtaria e ligjshme.
Duke qenë se pasuritë e evidentuara gjatë hetimit të kryer që janë në pronësi të shtetasit A.G., dhe familjareve të tij, kanë rrezik të tjetërsohen, të asgjësohen, të dëmtohen, të transferohen/ transportohen apo çdo rast tjetër që dyshohet se mund të rrezikohet zbatimi i një mase të mundshme sekuestroje, është e domosdoshme që pasuritë e identifikuara në emër të shtetasit të dyshuar: A.G., lindur dhe banues në Tiranë t’i nënshtrohen sekuestros, pasi plotësohen të gjitha kriteret ligjore të analizuara më lart,” thuhet ne vendimin e Prokurorise.