TIRANE, 19 shkurt 2013–  “Laborantja dentare, Eleni Basho, është vrarë nga një person i mirinformuar që i ka studiuar mirë lëvizjet e viktimës”. Burimet nga Prokuroria e Tiranës kanë pohuar dje se po vlerësojnë disa prova të reja pas rihapjes së hetimeve në lidhje me vrasjen më 2 shkurt 2012 të laborantes dentare, nënë e dy fëmijëve. “Autori i krimit ka qenë tepër i kujdesshëm dhe i saktë. Ai ka ditur itinerarin e lëvizjeve që kryente thuajse çdo ditë Eleni Basho, orën e kthimit të saj në banesë dhe e ka identifikuar atë duke e qëlluar me armë në një zonë të errët, ku ka pasur pak shanse që autori të identifikohej”, thanë burimet e Prokurorisë. 

Sipas tyre, gjatë muajve të fundit, Policia e Tiranës ka referuar materiale hetimore në mënyrë të vazhdueshme me qëllim rihapjen e hetimeve në lidhje me ngjarjen. “Kanë qenë provat e reja, por edhe një analizë e hetimeve që ishin kryer më parë që kanë sjellë rihapjen e dosjes penale në lidhje me ngjarjen. Dyshohet se viktima është nxjerrë në pritë me anë të informacioneve që i janë dhënë autorit të ngjarjes”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas organit të akuzës, hetimi i ngjarjes do të vazhdojë pasi vlerësohet se ende nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për autorësinë e krimit. “Ka disa indicie dhe mendime të reja për disa veprime që duhen kryer dhe që mund të konkludojnë me identifikimin e autorëve të ngjarjes”, thanë burimet nga grupi i hetimit në Prokurorinë e Tiranës. S

ipas tyre, akuza ndaj bashkëshortit të Eleni Bashos, shtetasit Ilia Basho, ishte pushuar që nga muaji korrik 2012. “Akuza dhe hetimet ndaj tij janë pushuar në korrik 2012 dhe prej asaj kohe shtetasi Ilia Basho nuk ka pasur asnjë rol. Dosja u pezullua pasi ngjarja ishte pa autor, ndërsa së fundi janë siguruar disa të dhëna që janë bërë shkak për rihapjen e dosjes me qëllim zbardhjen e ngjarjes”, thanë zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, pista e vrasjes mbetet e njëjtë, për shkak të konflikteve në familjen e viktimës. Eleni Basho kishte marrë dijeni për lidhjen jashtëmartesore të bashkëshortit me shtetasen Y.Sh, person i njohur prej të dyve. Në kohën kur ndodhi vrasja e Eleni Bashos, sipas Prokurorisë, çifti kishte kontradikta të thella dhe po shkonte drejt divorcit. Një kompani produktesh dentare e krijuar nga Ilia Basho ishte hedhur në emër të Elenit dhe për disa kohë u dyshua se ndarja e pasurisë mund të kishte qenë shkak për ngjarjen. Në ditët pas vrasjes së Eleni Bashos, një nga pistat që u hetuan, ishte edhe mundësia e kryerjes së krimit për grabitje, por një variant i tillë u rrëzua, pasi nuk gjeti mbështetje në asnjë provë apo të dhënë. 

Ilia Basho 

Bashkëshorti i Eleni Bashos, shtetasi Ilia Basho, ndonëse ka qenë personi kryesor i dyshuar në lidhje me ngjarjen, nuk e ka pranuar asnjëherë implikimin në vrasjen e të shoqes. Në deklarimet në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Apel gjatë vlerësimit të masave të sigurisë, Ilia Basho ka deklaruar para gjyqtarëve se ka pasur një lidhje intime jashtëmartesore, por nuk ishte ai autor i krimit. Basho, i cili kishte një biznes në fushën e tregtimit të produkteve dentare, ka hedhur poshtë çdo dijeni apo bashkëpunim për vrasjen e të shoqes.