Pas Italisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon ndihmën edhe të një fqinji tjetër për dosjen Habilaj-Tahiri.

Burime të sigurta të "BalkanWeb" pohuan se prokuroria i ka përcjellë një letërporosi autoriteteve greke për hetimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit rëndojnë dyshime për përfshirje në grupin kriminal Habilaj, duke i çuar hetimet për të, në një tjetër fazë.

Kjo lëvizje e Prokurorisë vjen në kohën kur për secilin prej të dyshuarve përfshi edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri është zgjatur afati hetimor edhe për tre muaj të tjerë.

Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda do kërkojnë informacione në lidhje me lëvizjet e ish-ministrit drejt Greqisë, pasi ka dyshime që ai është takuar me Artan Habilajn në gusht të vitit 2014.

Prokuroria dyshon që Habilaj të ketë udhëtuar drejt Greqisë me Audin e famshëm me targa AA003GB, që iu shiti ish-ministri.