Pak ditë pasi PD depozitoi kërkesë në organin e akuzës që të bëheshin verifikime për pastërtinë e figurës së kryebashkiakut të Shkodrës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Prokuroria e Përgjithshme nis verifikimet për Valdrin Pjetrin.

Partia Demokratike pretendon se Pjetri nuk mund të kandidonte për këtë post pasi ka qenë i ndaluar dhe dëbuar në Itali. Sipas Prokurorisë, materiali kallëzues i është përcjellë për kompetencë sektorit të Dekriminalizimit. Burimet e organit të akuzës thanë se ky sektor do të kryejë verifikimet përkatësë dhe do të dalë me një vendim.

Pëmes një letre drejtuar prokurorisë, PD deklaroi se në vitet 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i ndaluar në Itali gjatë kohës që ka jetuar në Firence dhe më pas ndaj tij është marrë masa e dëbimit.

PD pretendoi se nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se Kryebashkiaku i zgjedhur në Shkodër, nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike.

Në kallëzimin e PD-së, thuhet se në datë 13 maj 2019 Valdrin Pjetri ka dorëzuar në KQZ formularin e vetëdeklarimit në të cilin i është përgjigjur me jo pyetjes nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale apo nëse ndaj tij është marrë masat e dëbimit.

Sipas padisë, kjo përmbajtje e formularit me deklarim të të dhënave të pasakta, sipas ligjit të vitit 2015 për dekriminalizimin përbën vepër penale dhe sjell skualifikimin e menjëhershëm të Valdrin Pjetrit nga kandidimi apo ushtrimi i funksionit të kryetarit të Bashkisë.