Prokuroria shuan dyshimet se dy shtetas rusë dhe 5 cekë që mbërritën në Shqipëri gjatë kohës që po zhvillohej stërvitja ushtarake e trupave të NATO-s Defender-21 në të cilën merrte pjesë dhe ushtria shqiptare, të kenë kryer veprimtari spiunazhi.

Në kushtet, kur nuk siguroi prova për ta, prokuroria iu drejtua gjykatës me kërkesë për pushimin e çështjes penale ndaj dy rusëve Georgii Budanov dhe Vladislav Cherkasov si dhe shtetasve cekë, Filip Carek, Prokop Voracek, Libor Bartos, Filip Sichinger, Andrea Maresova.

Hetimet nisën pas një informacioni që drejtoria e antiterrorit referoi në prokurori, ku ndër të tjera thuhej se “me datë 13 prill 21 një diplomat i ambasadës ruse në Shqipëri ka vizituar portin e Durrësit, ku është takuar me një drejtues të autoritetit portual, të cilit i është prezantuar si atashe tregtar në ambasadën e Ukrainës në Tiranë, duke u interesuar për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, veçanërisht për hidrokarburet”. Prokuroria ka dyshime se ai e ka fshehur faktin se ishte funksionuar i ambasadës ruse me qëllim që të mos ngjallte dyshim dhe ta kishte më të lehtë sigurimin e informacionit mbi trupat dhe mjetet ushtarake që do të vinin në Durrës në kuadër të stërvitjes ushtarake. Është referuar më pas informacion për rusin Georgii Budanov, i cili ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare e Qafë Thanës me 11 mars 2021.

Prokuroria thotë se ai është parë rregullisht në zonën e Orikumit në Vlorë dhe ka lëvizur me këmbë nga aty në Karaburun deri pas bazës ushtarake të Pashalimanit.

Gjatë intervistimit në polici me 1 maj 2021 ai ka sqaruar se është inxhinier konstruksioni dhe për herë të parë kishte mbërritur në Shqipëri në 1998 dhe ka shpjeguar se qëllimi i vizitës ishte të bënte biznes në fushën e turizmit.

I Hetuari tjetër Rusi Vladislav Cherkasov, hyri në Shqipëri nga Muriqani me një furgon kamper. Policia nuk e lejoi të merrte me vete një dron për të cilin ka shpjeguar se e ka blerë për të bërë foto në bregdetin shqiptar. Ai ka shpjeguar se do të shkonte në Durrës, për të parë nje pjesë toke truall në fshatin Qerret, për llogari të pronarit të tij, por emrin nuk e identifikon. Ndërsa shtetasit cekë Filip Carek, Prokop Voracek, Libor Bartos, Filip Sichinger, Andrea Maresova hynë në Shqipëri me datë 1 maj dhe u larguan me 11 maj 2021 përmes aeroportit të Rinasit. Nga hetimet rezultoi se me një makinë të marrë me qira ata kanë udhëtuar drejt Tropojës, prej andej në disa fshatra të Kukësit, në Peshkopi, Burrel, Durrës, Kavajë me destinacion përfundimtar Beratin. Gjatë këtij itinerari kanë lëvizur në krah të Bazës Ushtarake në Kucovë e cila ndodhej në anë të rrugës nacionale Ura Vajgurore-Berat. Ata janë ndaluar për rreth 7 minuta para bazës dhe janë larguar në drejtim të Përmetit.