Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen për 32-vjeçarin Lear Kurti. Hetuesit e çështjes kanë arritur në përfundimin se efektivët e policisë të cilët bënë shoqërimin e tij në komisariat, nuk kanë kryer shkelje.

Ndërsa sipas ekspertizës, i riu humbi jetën nga mbidoza e drogës. Do të jetë Gjykata që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e prokurorit Albert Demirneli.

Lear Kurti humbi jetën pas shoqerimit nga Policia ne Komisariatin numer 3 më 19 tetor 2022.

Nëna e të riut dhe miq të tij hodhën akuza se Lear Kurti vdiq nga dhuna e ushtruar, sipas tyre nga efektivët në momentin e shoqërimit.

Por ekspertiza, e cila doli më 18 nëntor 2022, arriti në përfundimin se “Shkaku i vdekjes së shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik”.

Mjekët ligjorë treguan vetëm shkakun e vdekjes së të riut, duke mos dhënë detaje mbi kohën kur ka ndërruar jetë.