Pas thirrjeve për "luftë" e dhunë, prokuroria ka regjistruar kallëzimin penal për kreun e opozitës Lulzim Basha.
“Kushdo që godet qytetarët dhe protestën, do të vijë ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat, atyre që ju ndëshkojnë pa të drejtë. Kush luan me popullin t’i bëjë llogaritë mirë, se ndryshe vala popullore do t’i fshijë nga zyrat. Kjo është një lëvizje popullore pa kthim, nuk është një manifestim partiak. Populli nuk mund të durojë më. Durimit të popullit i ka ardhur fundi, edhe durimit tonë. Boll me akte të paligjshme në kurriz të shqiptarëve, në kurriz të biznesit, por vjen momenti kur nuk do të gjeni vrimë miu për t’u futur, kur zemërata popullore të rritet. Kur ju godasin, mos ktheni faqen tjetër, por goditini me grusht. Për çdo padrejtësi goditini me grusht, koha kur populli trajtohet si dele po merr fund”, – tha kryedemkrati në ditën e 7 të protestës, nga çadra përpara kryeministrisë gjatë një bashkëbisedimi me sipërmarrës dhe biznesmenë.
Referuar këtyre deklaratave nxitëse të dhunës, në datën 25 shkurt Policia e Tiranës referoi në prokurori materialet për kreun e Partisë Demokratike.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal, i cili parashikon “Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.





