TIRANE, 19 shkurt 2013– Prokuroria e Përgjithshme do të rihapë dosjen e pezulluar të hetimeve për vrasjen e agjentit të Shërbimit Informativ Shtetëror, SHISH, Isa Çopa. Vendimi është marrë nga organi i akuzës pas analizës së bërë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe SHISH, në një takim pune të mbajtur pak ditë më parë.
Isa Çopa u ekzekutua në 24 tetor të vitit 2011, në Durrës, ndërsa hetimet nuk kanë çuar në emrin e një autori. Madje në fillim u fol për vetvrasje të oficerit të SHISH, duke u bazuar tek një sms që ishte dërguar në celularin e djalit të Çopës nga numri i të atit, e ku ky i fundit i kërkonte të kujdesej për nënën e tij.
Për rihapjen e kësaj dosje hetimore, kryeprokurori Adriatik Llalla ka informuar dhe presidentin Bujar Nishani, në një takim pune të zhvilluar me disa nga drejtuesit e prokurorisë, mesditën e sotme.





