16 janar 2015 – Dy ditë pas operacionit në laboratorin e kokainës në Elbasan, Prokuroria e Krimeve të Rënda bën reagimin e parë publik. Përmes një komunikate për mediat, organi i akuzës jep detaje se si u ra në gjurmët e trafikantëve dhe zbulimin e punishtes së drogës. Në njoftim thuhet se hetimi për këtë grup kriminal ka nisur mbi bazën e një informacioni të mbërritur në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme në datën 17 dhjetor 2014, pas informacionit të dërguar nga autoritetet gjyqësore gjermane.
Pra, ka qenë Prokuroria e Krimeve të Rënda ajo që më 18 dhjetor 2014 mori e para informacionin dhe nisi më pas hetimet. Komplet pjesa përgatitore e hetimeve është kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka pasur rol të dorës së parë në këtë operacion, ndërkohë që policia është përfshirë më së shumti ditën e zhvillimit të operacionit. Dyshimet për dekonsipirim kanë qenë të shumta, aq sa ditën e operacionit, siç mëson Lapsi.al, të gjithë policëve u janë marrë telefonat celularë. Nxitimi për të përfituar politikisht dhe për të marrë meritat e këtij operacioni ka qenë i madh si te kryeministri, ashtu edhe te ministri i Brendshëm. Në të gjitha postimet e tij në Facebook lidhur me këtë operacion, kryeministri Edi Rama nuk e ka përmendur fare Prokurorinë e Krimeve të Rënda si institucioni kyç në përfundimin me sukses të hetimeve. Po kështu edhe ministri Tahiri, në daljet e tij mediatike, me sfond forcat speciale me maska, nuk e ka përmendur rolin vendimtar të organit të akuzës.
Ngutja e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm për të marrë meritat e këtij operacioni, i shton më shumë dyshimet dhe vë në pikëpyetje forcën zbuluese të policisë. Njoftimi i prokurorisë vjen dy ditë pasi mazhoranca me cdo mjet po përpiqet t’ja japë policisë rolin primar në këtë operacion, por në fakt sic thuhet edhe në deklaratën e prokurorisë, organi i akuzës ka pasur rol të dorës së parë. Përmes këtij njoftimi, prokuroria njofton edhe masën e “arrestit me burg” për 9 personat e arrestuar. Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën.
Deklarata e Prokurorisë
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga gjykata caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 9 shtetas, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e lëndës narkotike kokainë nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.
Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka nisur në bazë të një informacioni të mbërritur në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme në datë 17.12.2014 nga ana e autoriteteve gjyqësore gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të lëndëve narkotike.
Ky informacion iu përcoll Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në dt. 18.12.2014, regjistroi me iniciativë (kryesisht) procedimin penal për “trafikim të lëndëve narkotike” dhe vijoi hetimet lidhur me personat e dyshuar si të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal. Në bazë të të dhënave të përfituara gjatë hetimeve paraprake, të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në datë 14.01.2015, u organizua operacioni për arrestimin në flagrancë të disa shtetasve, të cilët gjendeshin në ambjentet e një ish-magazine, e cila rezultoi që ishte shndërruar nga të dyshuarit në një laborator për përpunimin e lëndës narkotike të llojit kokainë.
Po ashtu, në vijim të operacionit, në bazë të të dhënave të përftuara gjatë hetimeve paraprake të Prokurorisë për Krime të Rënda, u arrestuan edhe disa persona të tjerë në zona të ndryshme. Pra, në total u arrestuan 9 persona. Në bazë të veprimeve paraprake dhe provave materiale të zbuluara gjatë operacionit, personat e arrestuar dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “trafikimit të narkotikëve”, të mbetur në tentativë, “prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope, “prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të paligjshëm të prekursorëve”, “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike” si dhe “grupit të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 283/a-22, 284/c, 284/ç, 285 dhe 333/a. Ndërkohë, dy prej tyre akuzohen edhe për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të parashikuar nga nenet 278/2 dhe 278/4 të Kodit Penal.
Në bazë të të dhënave të siguruara deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për personat, si më poshtë:
Ilir Hyseni
Gentian Gjonaj
Kelmend Dalipi
Arjan Dalipi
Sajmir Batku
Ermal Hoxha
Kastriot Imeri
Cesar Avila
Valther Moreno
LAPSI.AL





