TIRANE – Burime të Prokurorisë së Përgjithshme i thanë sot Zërit të Amerikës se do të bëhet ankim në gjykatën e Apelit ndaj vendimi të djeshëm të Gjykatës së Tiranës, e cila shpalli të pafajshëm komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të akuzuar për vrasjen e tre prej katër manifestuesve që u qëlluan me armë zjarri gjatë protestave të opozitës në 21 Janar të vitit 2011 të cilat cuan në përleshje të dhunshme me forcat e policisë që kisin rrethuar selinë e kryeministrisë në Tiranë. Gjykata vlerësoi se nuk kishte prova që të mbështesnin akuzën e prokurorisë për vrasje me dashje. Prokuroria kishte kërkuar 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon.

Po sot Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pati një takim me ambasadorin amerikan Tiranë Aleksandër Arvizu. Dje ambasada amerikane u shpreh e tronditur nga vendimi i Gjykatës duke vlerësuar se ai “ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”.

Nga ana e saj gjykata e Tiranës sot tha se deklarata e ambasadës amerikane është shqetësuese dhe ndërhyn në procesin e rregullt ligjor. Deklarata të tilla, vlerëson Gjykata, mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm.

Por ambasadori amerikan tha se pretendimet e gjykatës nuk qëndrojnë sipas tij. “Kjo akuzë nuk ka bazë. Përfshirja jonë rrjedh drejtpërdrejt nga një kërkesë specifike e Prokurorit të Përgjithshëm dhe kjo kërkesë u mbërshtet nga qeveria e Shqipërisë”, deklaroi ambasadori Arvizu, duke ju referuar kështu asistencës  amerikane të dhënë gjatë hetimeve dhe përfshirjen e laboratorit kriminalistik të FBI për kryerjen e ekspertizave të cilat vërtetuan se plumbat më të cilët u qëlluan tre manifestuesit e vrarë kishin dalë nga armët e komandantit Prendi dhe vartësit të tij Llupo.