Asnjë surprizë! Përfundojnë hetimet për fisin Rraja, të cilët akuzohen për dhunën barbare ndaj dy kushërinjve, Bilbil e Jashar Maja, ngjarje kjo e ndodhur pak muaj më parë.

Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, rreth orës 12.00 të datës 6 korrik 2023, Bilbil Maja dhe kushëriri i tij Jashar Maja kanë qenë të ulur në një tavolinë të barit “Fergen” që është në pronësi të Fred Bërdakut. Dy kushërinjtë kanë qenë duke konsumuar kafe kur kanë vënë re se në lokal kanë hyrë Xhelal dhe Flamur Rraja, të cilët ishin të armatosur me nga një armë të tipit pistoletë. Kur janë afruar pranë tavolinës së tyre i kanë thënë Bilbilit që të shtrihet në dysheme.

Në këtë moment ky i fundit ka vënë re se në lokal kanë hyrë edhe katër persona të tjerë mes të cilëve ai ka njohur personin me pseudonimin Caku dhe që është pronar i gurores që ndodhet në zonën e tyre.

Të katër personat kanë pasur në duar shkopinj, që përdoren për lojën e bejsbollit e me to kanë sulmuar Bilbilin duke e goditur në pjesë të ndryshme te trupit. Gjatë sulmit që i është bërë prej tyre, ka fiksuar se, edhe shtetasi Flamur Rraja e ka goditur me pjesën e shulit të pistoletës, që ai kishte në dorë, ndërsa Xhelal Rraja, po me pistoletën që kishte në dorë e ka goditur në pjesën e pasme të trupit. Sulmit të personave nuk i ka shpëtuar as Jashar Maja. Edhe ky, ashtu si dhe kushëriri i tij, është goditur në pjesë të ndryshme të trupit. Nga sulmi i dhunshëm dhe goditjet e vazhdueshme Bilibil Maja ka humbur ndjenjat dhe është përmendur vetëm kur ka qenë në spital, e ku ka mësuar nga personeli mjekësor se, kishte frakturë në kokë. Pas disa minutash sulmi të dhunshëm, agresorët, që janë shtuar me kalimin e kohës, i kanë lënë të shtrirë të dëmtuarit dhe janë larguar me mjetet me të cilat kishin ardhur.

Të dëmtuarit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe Bilbil Maja ndodhej fillimisht në situatë të rëndë shëndetësore.

Nëpërmjet të dhënave dhe konkluzioneve të aktit të ekspertimit mjeko ligjor të datës 24.07.2023, mësohet se, në trupin e shtetasit Jashar Maja u konstatuan plagë në lëkurën e kokës si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë, që nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hynë në kategorinë e atyre dëmtimeve që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë, për mbi nëntë ditë.

Ndërsa në trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës, pa dëmtime të indit trunor, plagë në lëkurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë si dhe shembje të indeve të buta të kokës dhe të trupit, dëmtime të shkaktuar me mjet të fortë që nuk kane qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tillë hynë në kategorinë e atyre dëmtimeve, që kanë sjellë si pasojë humbje të aftësisë së përkohshme për punë.

Mbështetur në kriterin mjekësor, të parashikuar në ligj, dëmtimet shtetasve Jashar e Bilbil Maja, e klasifikojnë veprën penale të kryer ndaj tyre si, “Plagosja e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i K. Penal.

Viktimat Jashar e Bilbil Maja kanë kërkuar pas kësaj një ekspertim mjeko ligjor me grup ekspertësh, pasi pretendojnë se dëmtimet e tyre fizike janë më të rënda, duke kërkuar ndjekje penale të personave nën hetim e të përfshirë në ngjarje.

Por edhe grupi i ekspertëve të kërkuar nga dy viktimat Jashar e Biblbil Maja dëmtimet e tyre të konstatuara nga ekspertiza e mjeko ligjore janë konsideruar ‘Plagosje e lehtë me dashje”.

Shkak për ngjarjen e mësipërme është bërë një konflikt që ka filluar nga shfrytëzimi i gurores në pronësi të fisit Rraja dhe që punimet e kryera për nxjerrjen e materialit inert, nëpërmjet shpërthimeve me eksploziv, janë bërë shqetësim për banorët e zonës, pjesë e të cilëve kanë qenë edhe të dëmtuarit.