ZVICER, 01 mars 2013 – Prokuroria e Përgjithshme e Luzernit ka dhënë detajet e para në lidhje me Viktor Berishën, autorin e vdekjes së katër personave, përfshirë edhe veten, në tragjedinë e ndodhur të mërkurën në Menznau të Luzernit. 

Mësohet se Viktor Berisha ka lindur në Kosovë, në vitin 1971, ndërsa në Zvicër ka shkuar si azilkërkues në vitin 1991. Vite më vonë ai ka marrë shtetësinë zviceriane. Berisha ishte i martuar dhe ka tre fëmijë. 

Një detaj i rëndësishëm që ka dhënë prokuroria ka të bëjë me të kaluarën e Viktor Berishës. Ai ka qenë i dënuar njëherë, por me kusht, pasi ishte akuzuar për pjesëmarrje në një grabitje. 

Ndërkaq, në lidhje me masakrën e dy ditëve më parë, prokuroria njoftoi se “ekzaminimi i kufomës ka treguar se Viktori ka vdekur në vendin e ngjarjes, i qëlluar me armë”. Ai kishte qenë i vdekur në momentin kur policia ka arritur në vendin e ngjarjes. 
Të plagosurit, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore nuk kanë mundur të japin detaje për organet e hetimit, gjë që do të mund të hidhte dritë mbi ngjarjen tragjike. 

Sipas prokurorisë, pesë të plagosur ndodhen ende në spital, prej tyre dy janë në rrezik jete.