Luftar Reçi është ndoshta i dënuari për veprën e rëndë të vrasjes, me më shumë letra ndaj Prokurorisë, prej shumë vitesh, që kërkon të shkëmbejë kujtesën e tij penale me favore ligjore. Sot, ai është ende në një marrëveshje për të qenë përfitues i statusit të të penduarit, si rrëfyes për ngjarje të rënda kriminale ndodhur në Shqipëri. SPAK ka marrë në konsideratë një dëshmi të gjatë të tij, ndonëse e fortpërsëritur, të cilën më pas e ka copëzuar për të verifikuar deklarimet, me fakte dhe prova të mundshme, duke rakorduar nëse vërtetësia të çon drejt zbardhjes së ngjarjeve të pretenduara, nëse dëshmitari sjell rrethana të reja.

Veprimet nisin në vitin 2020, kur Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.115 datë 02.12.2020 ka caktuar masat e sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasve Lulzim Berisha, Plarent  Dervishaj, Indrit Taullau, Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin dhe Luftar Reçi, të dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan Saliu), Vajdin Lamajt, Artan Arsit, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Nisma per të shkuar në veprime të tilla ka qenë dëshmia e Luftar Reçit për të cilin Policia e Shtetit dhe SPAK kanë vendosur t’i besojnë ndryshe nga rastet e përsëritura të letrave dhe rrëfimeve, kur kolegët prokurorë e kanë refuzuar zyrtarisht dhe quajtur të pabesueshëm. Por dy vite më vonë, në fashikujt e dërguar në Gjykatë, SPAK nuk mban në akuzë për vrasjen e Lamajt dhe Arsit as Lulzim Berishën dhe Plarent Dervishin, duke mos gjetur bindje në deklarimet e rrefimtarit të penduar, provë e cila ishte marrë më herët në konsideratë për ta caktuar masë sigurie.

Një tjetër akuzë e rëndë e shumëpërsëritur e të penduarit ka qenë për Ymer Lalën, personazh i lidhur me pushtetin, babai i ish-deputetes Lala, emëruar drejtore e rëndësishme pak ditë më herët, dhe e dorëhequr si kandidate pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Sipas dëshmitarit Luftar Reçi, porositës për vrasjen e Maks Lalës ka qenë Korab Ymer Lala.  Prokuroria e Posaçme, për këtë pretendim ka bërë veprimet e saj. Një ndër ta, është edhe marrja e dëshmisë së Korab (Ymer) Lalës. Ajo që bie në sy, është fakti se nga 22 pyetjet e prokurorisë drejtuar Lalës, në seancën e dëshmisë para SPAK, asnjëra prej tyre, nuk ka të bëjë me akuzën që i penduari Reçi, bën në ngarkim të tij. Episod, të cilin oficerët dhe prokurorët nuk e kanë çmuar si të besueshëm, megjithë historikun e detajuar të Reçit për këtë ngjarje të rëndë të vrasjes. Për këtë rast, me shpjegime të hollësishme, Prokuroria e Posaçme e cilëson të pabesueshëm të penduarin e saj.  

Jo vetëm kaq.  

Arben Curri, ish-punonjës garde, është një nga emrat e përmendur nga Luftar Reçi, për të cilin i penduari pretendon se e njeh mirë dhe ka bërë takime të shpeshta me të, ndërsa Curri kur dëshmon para Prokurorisë, përgjigjet ndryshe. Curri, ndër të tjera në dëshminë e tij, që është në dosjen e përcjellë në Gjykatë thotë se “shtetasin Luftar Reçi, e njoh si emër, nuk kam pasur asnjë njohje me të, e njoh nëpërmjet fjalëve që më ka thënë Ymer Lala, të cilin e kam mik dhe shok.”    

Tjetër detaj lënë mënjanë nga Prokuroria, është një nga letrat e shumta penduese të Reçit, është edhe ajo në maj të vitit 2018 dërguar një të njohuri të tij, me emrin Erjon, të cilit i kërkon ndihmë për fëmijët dhe familjen e tij. Por, krahas kësaj, Reçi e ka mbushur letrën me deklarime për miqte e tij të mëdhenj në sistemin e drejtësisë dhe policisë së shtetit, që i kanë bërë ndere të mëdha për akuzat e rënda në ngarkim të tij, duke lehtësuar rrethanat për dënimin e tij.

Prokuroria nuk merr asnjë veprim për të përballur nderet e miqve të të penduarit, veprime të cilat duhet të jenë bërë me prokurorë, meqë përfitues paska qenë, sipas deklarimit, vetë i penduari. Po të flas unë thotë i penduari në letrën e tij me shkrim dore, “duhet hapur një burg i ri vetëm nga dëshmitë e faktet që di unë …” Janë rreth 20 emra të përmendur nga dëshmitari në letër me pretendimet se kanë bërë krime të rënda të vrasjes. Por më tej, nuk duket se prokuroria e ka gërmuar rrëfimin e tij thjesht teorik e të besueshëm vende vende, apo sipas rastit dhe porosisë. Dëshmitari tregon për letrën që i ka ardhur nga jashtë qelisë se “Të dëshmojnë për ngjarje të tjera që t’i marrin në qafë Çapajt me shtet. Kjo është e gjitha. Më ka shkruar se Çapajt janë pa pushtet, dhe se tani është koha me i zhduk fare sa të jetë PS në pushtet..ndaj lajmëroji se duan ti sulmojnë me shtet e me burgje ..”

Edhe ky kallëzim me shkrim i Reçit, për përpjekjet e njerëzve të lidhur me partinë në pushtet, duket se nuk është marrë e besueshme nga prokurorët si mjaft të tjera, të cilat nuk kanë prodhuar prova. I penduari Reçi, prej shumë vitesh ka folur për shumë ngjarje të vjetra dhe të reja në dëshmitë e tij. Prokuroria e Posaçme ka pasur nevojë të përdorë një dëshmitar të përsëritur të pabesuar, po nga prokuroria në shumë vite. Me kalimin e viteve, Reçi duke qenë në burg vetë, nuk ka sjellë fakte, prova të reja, për të rikthyer hetimet me rrethana të reja. Kanë qenë të njëjtat deklarime, të cilat nuk janë marrë në vlerësim, pasi verifikimet e prokurorisë më herët, nuk kanë çmuar se ka provat e duhura për ta bërë të besueshme. Ka në dëshminë e Reçit dhe kallzim për biznesmenë të mëdhenj, të rëndësishëm në Elbasan dhe në Shqipëri, të tjerë në Dibër, Tiranë dhe rrethe të tjera, të cilat SPAK, nuk është se i ka vlerësuar, duke e cilësuar të pabesueshëm tregimin e tij për gjithë këto vrasje dhe krime. Pothuajse të gjithë prokurorët e përgjithshëm në 10 vitet e fundit kanë marrë letra nga dëshmitari Reçi. Përgjigjet janë konsideruar për kryerje veprimesh, por gjithashtu zyrtarisht, janë shprehur me rezerva të përdorjes nga i burgosuri të historive të tij, për të përfituar personalisht më tepër se sa për të ndihmuar drejtësinë.

Në vitin 2016 në prill, Prokuroria e Përgjithshme, i përgjigjet zyrtarisht me shkresë, prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçë për letrat e dërguara nga i dënuari Luftar Reçi se ”..Në adresën e prokurorit të përgjithshëm ka ardhur letra e të dënuarit Luftar Reçi i cili ndodhet në burgun e Drenovës. Ai pretendon se ka prova për vrasjen e shtetasit Maks Lala, vepër për të cilën ai është dënuar..

Paraprakisht ju informojmë se ndër vite dhe në vijimësi ky person ka mbajtur kontakte me persona të autorizuar nga Prokurori i Pergjithshëm, duke synuar para tyre të shfaqet si bashkëpunëtor i drejtësisë, në këmbim të zbutjes apo përjashtimit nga dënimi, por që prej prokurorëve është vlerësuar se, deklarimet e tij kanë qenë të pasinqerta, si lidhur me ngjarjet e rënda kriminale, për të cilat ka dhënë shpjegime, ashtu edhe për krimin për të cilin ai vetë është deklaruar fajtor, në të gjithë nivelet e gjykatave, ndaj dhe mes palëve nuk është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Gjithsesi nga ana juaj te merret kontakt për të dëgjuar pretendimet e tij dhe për ti vlerësuar ato…”  

Besueshmëria e këtij dëshmitari, ngjan e paqëndrueshme, ndonëse SPAK, ka marrë vetëm disa copëza, të cilat i shpërbëjnë më shumë si tregime e jo prova,  ndaj disa të pandehurve të tjerë.