26 tetor 2013- Shtohen edhe më tej zërat sa i takon tashmë debatit të hapur rreth martesave gay. Drejtori ekzekutiv, “Të Bashkuar PRO kauzës LGBT (ProLGBT)”, Kristi Pinderi, ka reaguar lidhur me deklaratën e deputetes Mesila Doda. Sipas tij, këto deklarata si të Dodës, përjashtojnë kategori qytetarësh nga integrimi. "Deputetja Mesila Doda ka reaguar sot në lidhje me debatin rreth martesave gej. Ne gjykojmë se fryma agresive dhe thirrjet për të ndarë qytetarët në llogore njësoj si në situatat e linçimeve kolektive, nuk është fryma e Evropës së qytetëruar. Ngjan më shumë me frymën e vendeve të ish Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë. Është e rëndësishme që deputetët dhe deputetet të cilat kanë mundësi dhe hapësira të pafundme për të shprehur mendimin, të marrin pjesë në këtë debat me argumente dhe jo me linçime.

Zonja Doda tha se “familje është vetëm ajo që vjen nga martesa mes një burri dhe një gruaje”. Kjo nuk është e vërtetë! Madje është një deklaratë që fton qytetarët të përçmojnë të gjitha ato forma të tjera të familjes që nuk përmbushin kriteret e familjes tradicionale.Këto janë deklarata kategorike që tentojnë të përjashtojnë nga integrimi një kategori të tërë qytetarësh. Për shembull: Familja e zonjës Doda është e nderuar, por kjo nuk e pengon familjen e një çifti gej të jetë gjithashtu e nderuar. Familje e nderuar është edhe ajo mes një burri e një gruaje që presin të rrisin fëmijët e tyre, por po aq e nderuar është edhe ajo familje mes një prindi të vetëm që adopton një fëmijë, apo familja e gjyshërve që rrisin nipin apo mbesën, apo po ashtu e nderuar është dhe familja që përbëhet nga tezja dhe nipi (siç ishte rasti i familjes se Sofies në Durrës).

Mospranimi i formave familjare që nuk mbyllen dot në korniza të një martese mes një burri dhe një gruaje, rrezikon që të mbajë larg shërbimeve dhe përfitimeve ligjore mijëra njerëz. Ne nuk po flasim për koncepte fetare apo hyjnore, por flasim për koncepte konkrete ligjore dhe për të drejtën që çdo qytetar ka në këtë vend për të krijuar familjen e tij dhe për të qenë i respektuar dhe jo i përjashtuar.

Nëse një komunitet fiton një të drejtë që kushdo tjetër e ka, atëherë kjo nuk do t’i pengojë burrat që duan gra, të martohen me to, apo gratë që duan burrat të martohen me ta! Orientimi seksual dhe identiteti gjinor nuk janë zgjedhje qe befas, ne një situate si ato te Apokalipsit ne Bibël do e nxisnin gjithë shoqërinë të bëhej homoseksuale. Këto janë thjesht frikëra të cilat ne duhet ti adresojmë përmes një debati të shëndetshëm”.