Promovimi i Kampionatit Europian U-17, i cili do të zhvillohet në vendin tonë, nisi nga Durrësi. Në sheshin kryesor të qytetit bregdetar u hap sipari i fushatës promovuese të kësaj ngjarje të madhe sportive, që do të zhvillohet nga 19 maji deri më 1 qershor në Shqipëri.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka e konsideroi zhvillimin e kampionatit evropian “Shqipëria 2025” si një moment historik për vendin tonë dhe u shpreh besimplotë që të gjithë shqiptarët do ta kthejnë këtë event në një festë sportive.
“Vetëm një muaj më vonë 7 ekipet më të mira të Europës do t’i bashkohen skuadrës tonë kombëtare për të zhvilluar këtë kompeticion të rëndësishëm evropian që ndodh për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Jemi krenarë që kemi mundësinë të presim një event të tillë. Jam shumë i bindur që me mbështetjen tuaj, me mbështetjen e shumë faktorëve në vend ne do të bëjmë një kampionat model. Ne do ta kthejmë atë në një festë jo vetëm sportive, por më shumë se sportive”.
Durrësi është një nga qytetet pritëse të Kampionatit Europian U-17.
Ambasadori i turneut, Klaus Gjasula i ftoi sportdashësit të mbështesin ekipin tonë kombëtar në këtë kompeticion evropian.
“Është një grup i vështirë, janë ekipe të forta. Ne do të shijojmë momentin, do të kemi mundësinë të tregojmë se kush jemi ne. Do t’i tregojmë botës dhe mbështetjen e tifozëve, do t’i përkrahim çunat dhe do të kemi vetëbesim”.
Në këtë kompeticion ndërkombëtar, Shqipëria bën pjesë në grupin A me Portugalinë, Gjermaninë dhe Francën. Në grupin B janë Belgjika, Çekia, Anglia dhe Italia.
Ndeshjet e kompeticionit do të zhvillohen në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Rrogozhinë.
M.B.