Tiranë, 8 prill 2014  – Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, ka njoftuar çeljen zyrtare të konkursit ndërkombëtar për logon, sloganin dhe strategjinë e re për të promovuar Shqipërinë në botë. 

Tre ministritë, ajo e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe ajo e Punëve të Jashtme kanë ndërmarrë nismën për të promovuar identitetin e Shqipërisë në tregun botëror.
 
Ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermani tha se ky është një projekt për të ndryshuar rrënjësisht imazhin e vendit dhe për të evidentuar traditën e mikpritjes, kulturën e pasur dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme historike.
 
“Kjo nismë lindi si një nevojë për t’iu përshtatur realitetit, për të rritur numrin e turistëve, por edhe investimet e huaja në vend. Synojmë të lançojmë një imazh të ri të Shqipërisë, një port hyrëse për investimet e huaja në Rajonin e Ballkanit, një Shqipëri simbol paqeje në rajon”,-tha ministrja Gjermeni.

Ministrja Gjermeni tha se çdo kompani, individ vendas ose i huaj mund të klikojë në “Nextgenerationalbania.info”, aty ku shpjegohen hapat e procesit.
 
Konkursi do të zhvillohet në faza: Në fazën e parë do të paraqiten konceptet dhe draft projektet deri në fund të muajit prill.
 
Juria do të përzgjedhë 5 propozimet më të mira, ndërsa në fazën e dytë, të përzgjedhurit do të shfaqin propozimet dhe paketat e plota deri më 16 maj, aty ku do të përzgjidhet fituesi final.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/