“Promovo dhe bli produkte shqiptare”, ishte ky slogani i panairit agroushqimor i organizuar këtë të shtunë nga “DurrësLajm” me mbështetjen e Bashkisë Durrës si dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës.

Për herë të parë, një media lokale sjell një organizim të tillë në kuadër të programit Media For All; për fuqizimin e mediave lokale, mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar, pjesë e së cilit është edhe “DurrësLajm”, për t’iu ardhur në ndihmë fermerëve dhe bizneseve të cilët promovuan një gamë të gjerë produktesh në panairin e zhvilluar në ambientet e shkollës 9-vjeçare në Armath, Manzë.

Administratorja dhe gazetarja e “DurrësLajm”, Stela Likmeta tha para të pranishmëve se mungesa e tregut për shitjen e prodhimeve me të cilat sigurojnë mbijetesën ka qenë një ndër shqetësimet kryesore të banorëve të zonave rurale e përcjellë në redaksi, ndaj dhe stafi krijoi një mundësi të tillë duke synuar që të bëhet urë lidhëse mes fermerëve dhe bizneseve agroturistike për të shitur këto produkte.

Në panair ishin të pranishëm ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, kryebashkiakja Emiriana Sako, prefekti i qarkut Durrës, Roland Nasto, kryetari i Këshillit Bashkiak, Ani Dyrmishi. Ministrja Ekonomi bashkëbisedoi nga afër me fermerët dhe kompanitë e pranishme në panair dhe u njoh me problematikat që i shqetësojnë.

Ekonomi dha lajmin e mirë para fermerëve se iniciativa e ardhshme do të jetë krijimi i një pike grumbullimi për produktet e zonës, ndërsa theksoi vazhdimin e mbështetjes së tyre.

“Bashkë me kryebashkiaken diskutuam mundësinë që në muajt e ardhshëm të ngrihet një pikë grumbullimi për këtë komunitet përsa i takon produkteve bujqësore dhe sot falë mbështetjes së qeverisë ka shumë produkte që mund të marketohen duke u grumbulluar në një pikë dhe tregtohen nëpërmjet kësaj pike”, tha Ekonomi, ndërsa më tej u shpreh se një tjetër angazhim do të jetë zhvendosja e këtij panairi agroushqimor në qytetin e Durrësit.

Më tej, ministrja vlerësoi se një pikë e fortë e kësaj zone janë vreshtat, nga të cilat përfitohen shumëllojshmëri pijesh vere që konsumohen nëpër bizneset e agroturizmit.

Kryebashkiakja Emiriana Sako tha se synimi i institucionit që ajo drejton është të shtrijë turizmin përgjatë gjatë gjithë vitit për qytetin bregdetar jo vetëm tre muajt e verës, për t’i dhënë mundësi zhvillimi edhe zonave rurale.

“Durrësi është një qytet i cili bazë dhe motor të ekonomisë së tij ka turizmin dhe ne jemi impenjuar që mos të kemi vetëm një shtrirje kohore prej tre muajsh të plazhit por këtë turizëm ta shtrijmë në 365 ditë duke dhënë mundësi edhe zonave të njësive administrative të shfaqin potencialin e tyre nëpërmjet pikave të agroturizmeve, të cilat kanë produktet e tyre shumë cilësore”, u shpreh Sako ndërsa theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për t’u rikthyer në një traditë të përvitshme për të promovuar prodhimet bujqësore.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri e konsideroi jetike dhe të domosdoshme hapjen e një pike për grumbullimin e produkteve të fermerëve.

Sipas tij, jo vetëm qeveria shqiptare por edhe donatorë të huaj mund të mbështesin projekte të kësaj natyre me qëllim promovimin dhe rritjen e prodhimit nga fermerët dhe i gjithë biznesi agroushqimor.

Ndër të tjerë, në këtë panair ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga projekti “Media for All” Erjon Curraj, Blerjana Bino dhe Brunilda Milkani nga British Council.