Një rrëfim për jetën, momentet më të rëndësishme që kanë mbetur në kujtesë, ose për ato që kanë shenjuar rrugëtimin e tij të gjatë si mësues, funksionar shtetëror, deputet etj.
Botimi më i fundit i Zyhni Beqirajt “Mbi dallgët e jetës” është një autobiografi e tij, që nga fëmijëria e hershme, rinia, dashuria për rrënjët e tij, Ulqinin, angazhimet politike pranë Partisë Socialiste Durrës dhe Kuvendit të Shqipërisë, por edhe veprimtaria letraro-artistike.
Në jetëshkrimin e tij, disa faqe u janë kushtuar edhe atyre kujtimeve, që mund të mos i ndante me lexuesin.
“Çfarë ka mbetur në kujtimet e mia i kam shkruar ashtu siç kanë mbetur, siç kanë qenë. I kam treguar shumë episode, mund edhe të mos i tregoja. P.sh., në një mbledhje të kryesisë së PS, jam larguar. Kam shkruar edhe kur i jam larguar Fatos Nanos nga tavolina. Pra çfarë ka ndodhur realisht dhe është ruajtur në kujtesën time, unë e kam shkruar në libër”.- rrëfen profesor Beqiraj për “DurrësLajm”.
Ulqini, qyteti i origjinës së familjes Beqiraj nuk mund të mungonte në rreshtat e jetëshkrimit, njësoj si në libra të tjera të profesor Zyhniut, të botuar vite më parë. Lidhja e fortë patriotike me këtë qytet dëshmohet në një unazë të vjetër, të trashëguar mes brezash.
“Zyhniu mban në gisht një unazë, të vitit 1820, të trashëguar nga stërgjyshi Mustafa, me një shqiponjë të stilizuar dy krenore. Ajo simbolizon më së miri mjedisin patriotik në të cilin u edukuan dhe iu përkushtuan dashurisë për Shqipërinë brezat e kësaj familjeje të nderuar”,- tha gjatë ceremonisë shkrimtari Shpend Topollaj.
Në aktivitetin letrar të organizuar nga Biblioteka Publike Durrës, një vend i rëndësishëm iu kushtua angazhimit të Beqirajt si autor dhe tekstshkrues këngësh, të cilave iu përkushtua pas tërheqjes së tij nga politka. Dhe tek këto të fundit duket se është angazhimi në muajt në vazhdim i Zyhni Beqirajt, që pavarësisht moshës nuk ndalet në krijimtarinë e tij.
M.B.