Promovimi i monografisë “Gjeneral Spiro Moisiu” i autorit Jovan Bizhyti mblodhi pasditen e së premtes në Pallatin e Kulturës në Kavajë me dhjetëra dashamirës të librit, historianë e studiues.

Kjo është libri i dytë që i dedikohet shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe gjeneralit Spiro Moisiu, pas botimit të vitit 2000, të Ministrisë së Mbrojtjes.

Monografia e Bizhytit ka për qëllim të hedhë dritë mbi jetën dhe karrierën e njërit prej gjeneralëve më kryesorë të ushtrisë shqiptare me një karrierë që shtrihet në disa dekada në Forcat e Armatosura.  

Autori i monografisë, Jovan Bizhyti, tha për “DurrësLajm” se i është dashur në punë kërkimore rreth 2-vjeçare nëpër arkivat e shtetit, për të mbledhur gjithë informacionin e nevojshëm për të hedhur më shumë dritë mbi figurën e gjeneralit të shquar.

Ish-presidenti Alfred Moisiu, gjatë fjalës së rastit, rrëfeu një kujtim nga rinia e tij me të atin, të cilin e kujton si një prind mjaft të përkushtuar në mirërritjen e fëmijëve, por edhe si një patriot.

Gjenerali i parë i Ushtrisë Shqiptare, Spiro Moisiu, e ka nisur karrierën e tij ushtarake që në moshën 20-vjeçare dhe ka marrë pjesë në 6 lufta, ku një kontribut mjaft të shquar ka pjesëmarrja dhe angazhimi i tij si komandant në luftën antifashiste nacional-çlirimtare. Djali i tij, Alfred Mosiu, kujtoi se i ati la familjen e tij dhe pasurinë gjatë viteve të luftës dhe doli në mal, duke treguar shpirtin e tij patriotik. Si deputet i Kavajës, Spiro Moisiu ka qenë një figurë mjaft e nderuar dhe respektuar në vitet e regjimit komunist. Duke u ndalur tek sakrificat e brezave të mëparshëm, ish-presidenti Moisiu bëri një apel për mos braktisjen e vendit nga të rinjtë, duke bërë përgjegjës për largimin e popullsisë gjithë klasën politike shqiptare.

M.B.