Në fillim të javës që sapo u mbyll, në universitetin “Aleksandër Moisiu” u promovua libri i dy pedagogëve të fakultetit të studimeve profesionale, Përparim Zaimi dhe Albert Koço. Dy kapitenët, me një përvojë mjaft të gjatë në fushën e marinës detare, kishin përgatitur një libër shkencor, i pari i këtij lloji në fushën e transportit detar.

“Elementë teorik të stabilitetit të anijes e zbatimi praktik” titullohet botimi që pritet t’u vijë në ndihmë kapitenëve dhe oficerëve të anijeve si dhe studentëve që frekuentojnë shkollat e marinës detare. Përmes shembujve praktikë dhe trajtimit në detaje të çështjeve të stabilitetit të anijes në planin teorik Zaimi dhe Koço tentojnë të plotësojnë një boshllëk që ekziston prej vitesh në detarinë shqiptare.

Në librin e tyre, që pritet të pasohet nga një i dytë (qw wshtw tashmw gati), autorët kanë përdorur një sërë simbolesh dhe termash në gjuhën angleze, duke qenë se gjuha në fjalë përdoret ndërkombëtarisht dhe për këtë është e domosdoshme për kapitenët, oficerët apo studentët e marinës njohja e tyre.

Sipas autorëve një vend të rëndësishëm në libër zë zbatimi në praktikë i teorisë së stabilitetit të anijes e për këtë arsye janë ndërtuar raporte në favor të ushtrimeve që ilustrojnë zbatimin në praktikë të trajtimeve teorike. Për Koçon dhe Zaimin, me një eksperiencë të hershme në këtë fushë, tashmë ka ardhur koha që dhe detaria shqiptare të ecë me hapin e kohës dhe personeli i specializuar të njohë në mënyrë shkencore  rregullat bazë për mbarëvajtjen e këtij sektori të rëndësishëm.

Në fjalën e mbajtur në fillim të takimit, rektori i UAMD-së, Mit’hat Mema, pasi falenderoi dy autorët që zgjodhën universitetin e Durrësit për të promovuar librin e tyre dhe i uroi ata për punën e lavdërueshme që kanë bërë me këtë vepër shkencore shprehu bindjen se dhe të tjerë autorë do të zgjedhin ambientet UAMD-së për të prezantuar librat e tyre.