Në një atmosferë të ngrohtë, plot me miq e dashamirës, gazetari i njohur durrsak Gëzim Kabashi promovoi librin e tij të ri “Rrëfimet e një qyteti”.
Puna e një çerek shekulli përmblidhet në faqet e këtij libri, dedikuar portreteve të 75 personazheve durrsake, që kanë lënë shenjë në historinë moderne të qytetit 3000-vjeçar.
Me librin e ri “Rrëfimet e një qyteti”, i cili pason librin e parë “Me artistët e qytetit”, Kabashi sjell një tjetër dëshmi të çmuar, për memorien dhe identitetin e Durrësit, gjë që u theksua në fjalën e shumë prej të pranishmëve gjatë mbrëmjes letrare.
Një përshëndetje nga Amerika e largët, erdhi gjatë mbrëmjes edhe nga Teuta Mulaj, redaktorja e parë e shkrimeve të Kabashit, përshëndetje që u lexua nga redaktorja e librit “Rrëfimet e një qyteti” dhe njëkohësisht moderatorja e mbrëmjes letrare Teuta Dhima.
Në faqet e librit gjejnë vend mjekët dhe detarët, arkeologët dhe historianët, njerëzit e letrave dhe artistët e artit pamor të qytetit, jetën dhe veprën e të cilëve e rrëfen me një gjuhë plot stil gazetari Kabashi.
Çdo qytet ka nevojë për zërin e atyre, që dinë ta dëgjojnë dhe ta shkruajnë historinë dhe një prej atyre është pikërisht Gëzim Kabashi.
M.B.





