Sara Shaqiri, piktorja dhe shkrimtarja e re dhe mjaft premtuese, zhvilloi në mjediset e librarisë Hugo mbrëmjen poetike  “Mbi re”.  Lexues, kolegë dhe dashamirës të veprës së saj patën mundësinë të interpretonin poezi të shkëputura nga libri poetik “Mbi re” si dhe të drejtonin pyetje për të njohur Sarën, jashtë korinizave formale.

Interpretimi i poezive: “Nathan-it tim”, “Më duaj”, “Muzë”, “Vdekja” që tregojnë faza të ndryshme të jetës së poetes emocionuan pjesëmarrësit.

Në promovimin e librit të poetes Shaqiri ishin disa nga emrat e njohur të letrave në Durrës si Myzejen Konduri, Vladimir Muça, Merita Kuçi, Agim Bajrami etj.

“Ti e dashur Sara, e ke merituar emrin poeteshë. Te poezitë e vëllimit, ke alternuar si duhet pikturën e shpirtit me pikturimin e vargjeve”,- tha ndër të tjera shkrimtarja Myzejen Konduri.

Ndërsa për autorin Vladimir Muça “rrallë gjen krijues të tillë, ku elementët biografik i sjellin aq të personalizuara krijimet, ku personaliteti krijues vjen si zëdhënës i një jete plot dramacitet në filozofinë e saj”.

Duke bërë lidhjen mes pikturës dhe shkrimit, gjini artistike që i lëvron e reja Sara Shaqiri, shkrimtari Shpendi Topollai u shpreh: “Sara pikturon me penel dhe patjetër që atje e ka derdhur mllefin e saj ndaj botës që e rrethon, por ndoshta ka ende shumë për të thënë, prandaj e gjen të arsyeshme të thurë vargje”.

Në të njëjtën linjë u shpreh dhe poeti Agim Bajrami.

“Një piktore mund të bëhet shkrimtare, por një shkrimtare është e vështirë të bëhet piktore”.

Vëllimin poetik i Sara Shaqirit “Mbi re” mund ta gjeni në disa nga libraritë kryesore të Tiranës dhe Durrësit.