DURRES, 2 maj 2013– Zgjidhja e problematikës me pronën private konsiderohet çelësi i zhvillimit ekonomik në vend nga republikanët të cilët pohojnë, përmes kryetarit të tyre, se spektri i djathtë ka nevojë për reformin. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi një bashkëbisedim politik me studentë të kryeqytetit. Të interesuar për zhvillimet politike në vend, të ardhmen politike të Shqipërisë, vizionin e Partisë Republikane për çështje shqetësuese në  arenën politike, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, studentët i bënë pyetje Mediut, duke shprehur njëkohësisht edhe interesin e tyre për zgjedhjet në prag. Kryetari i Partisë Republikane, Mediu, pasi u foli të rinjve për arritjet e mazhorancës dhe pritshmëritë për zgjedhjet e 23 qershorit, theksoi se spektri i djathtë politik ka nevojë për një reformim, i cili duhet të fillojë pikërisht nga rina dhe energjia që lëshon ajo. “Asgjë nuk është e rastësishme, nëse ne nuk komunikojmë, nuk jemi aktiv në vendimarrje, nuk arrijmë që të kuptojmë se demokracia është një sistem me kundërshtarë, ku diferencat e ideve përbëjnë vlerën kryesore në zhvillimin e vendit, ne jemi rikthyer në kohën tonë të vjetër.” – u shpreh Mediu, duke nënvizuar nevojën për dialog dhe mirëkuptim mes të gjithëve faktorëve politik, shembull që mund të vijë më së miri nga rinia e përfshirë në politikë.