Itali, 17 maj 2014 – Një shtetas polak dhe dy shqiptarë janë arrestuar në flagrancë, në periferi të qytetit italian të Pizës. Tre të ndaluarit ishin duke realizuar vjedhjen e një shtëpie, pronarët e së cilës kishin ikur me pushime, në kohën kur janë ndaluar nga policia.

Karabinierët italianë janë lajmëruar nga fqinjët për zhurma të çuditshme që vinin nga shtëpia, që duhet të ishte pa njerëz. Kur policët kanë mbërritur, kanë gjetur polakun që bënte roje në një automjet me të cilin lëviznin hajdutët. Makina rezultonte e vjedhur ditë më parë.

Ndërkohë dy shqiptarët që ishin brenda në shtëpi tentuan t’u shpëtonin karabinierëve, duke u mbyllur në fillim brenda dhe më pas duke u përleshur me patrullën e policisë.

Dy hajdutët shqiptarë, të moshës 23 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet publik nga policia, kishin hyrë në shtëpi, pasi kishin thyer një dritare në katin e parë të shtëpisë.

Ata kishin me vete edhe një spray që përdoret në rastet kur sulmohesh nga dikush, por nuk patën mundësi ta përdornin kundër karabinierëve. Të gjitha sendet me vlerë që shqiptarët kishin futur në një çantë, iu kthyen pronarëve të tyre, ndërkohë që dy të rinjtë dhe shtetasi polak janë në pritje të dënimit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/