Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:40 të së hënës në Divjakë.
Një konflikt mes pronarit të një lokali në fshatin Goriçaj dhe një personi, të dy 42-vjeçarë dhe banues në këtë fshat, ka çuar në vrasjen e këtij të fundit. Viktima me iniciale A.Ll, u qëllua me armë gjahu në ambientet e lokalit dhe gjeti vdekjen rrugës për në spital.
Autor i kësaj ngjarjeje është 42-vjeçari Petrit Toromëni, i cili u arrestua nga policia.
Në një njoftim për shtyp, policia thotë se gjithçka dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes pronarit të lokalit dhe viktimës, për motive të dobëta.
Njoftimi i policisë:
Në datën 11.12.2017, rreth orës 23:40 në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Divjakë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Goriçaj ka ndodhur një vrasje.
Menjëherë është nisur drejt vendit të ngjarjes grupi hetimor i cili ka konstatuar se:
Në fshatin Goriçaj, Divjakë, në një lokal është qëlluar me armë gjahu shtetasi A.Ll, 42 vjeç, banues në Goriçaj, Divjakë, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital.
Në kohë rekord policia e Divjakës zbardh ngjarjen dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar.
Nga hetimet paraprake rezultoi se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi Petrit Toromëni, 42 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, Divjakë, pronari i lokalit ku ka ndodhur vrasja.
Dyshohet se vrasja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.





