Autoritetet kosovare kanë zbuluar pronarin e makinës që dyshohet se u përdor në vrasjen e politikanit serb në Mitrovicë, Oliver Ivanoviç.

Pronari i makinës është i vdekur. Kështu ka deklaruar kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun. Sipas tij, pronari i vërtetë i makinës nuk jeton më. Automjeti tip “Opel Astra” është blerë në vitin 1994.

“Gjithçka është planifikuar, është një vrasje që ka një karakter rajonal. Pyetja është se nga kanë ardhur sulmuesit, ku janë armët, ku i kanë mbledhur informatat e inteligjencës”, tha Drecun për Radio Televizionin e Serbisë.

Makina që dyshohet se u përdor në atentatin e Ivanoviç u gjet dje e djegur. Lideri i serbëve në Kosovë u qëllua nga një makinë në lëvizje kur po hynte në zyrën e partisë që drejtonte.

Policia e Kosovës vazhdon hetimet për të identifikuar atentatorët. Nga ana tjetër, Serbia e cilësoi akt terrorist vrasjen e Ivanoviç dhe ka kërkuar që të marrë pjesë në hetime të përbashkëta me Kosovën.