Tashmë kur frika nga koronavirusi është larguar disi, kjo dhe për faktin se qyteti i Durrësit ka pasur vetëm një rast pozitiv aktiv në 4 javët e fundit, vëmendja e thuajse të gjithëve është përqendruar tek ekonomia dhe biznesi. Mbyllja e mijëra bizneseve për një kohë të gjatë, gjeneruese të ardhurash për një numër mjaft të madh qytetarësh durrsakë, ka krijuar një krizë të rëndë që ndihet jo pak në buxhetet familjare.

Data 18 maj është lënë si afat për hapjen e bareve dhe restoranteve në të gjithë vendin. Në Durrës, numri i tyre është mjaft i lartë, si brenda në qytet, ashtu edhe përgjatë vijës bregdetare. Tashmë që kanë një datë konkrete, shumica e bareve dhe restoranteve kanë nisur të bëjnë punime, për të qenë gati ditën e rihapjes së dyerve.

DurrësLajm ishte në restorantin e njohur “4 Stinët” që prej më shumë se dy javësh i është nënshtruar rikonstruksionit. Pronari i tij, Dritan Kadiu tregon se situata e krijuar nga pandemia Covid-19 ka qenë përtej imagjinatës.

“Këto ditë kanë qenë shumë të vështira, përtej imagjinatës. Ne e shfrytëzuam për të bërë një rikonstruksion që donim ta bënim prej kohësh. Por përpos kësaj, ndërprerja e punës papritur ishte e vështirë si për ne, ashtu dhe për stafin, furnitorët. Ishte një marrëdhënie që u ndërpre “sot për nesër” dhe krijoi goxha vakuum me palët e treta”,– thotë Kadiu.

Ndërsa data 18 maj afrohet, restorantet nuk dinë ende sesi do të sillet klientela duke pasur parasysh edhe faktin se Durrësi futet ende tek qarqet kur lëvizja e qytetarëve dhe aktiviteti i bizneseve lejohet deri në orën 17.30. Ky orar konsiderohet mjaft penalizues për shumë biznese, sidomos për restorantet, pasi deri në orën 16.00 presupozohet që pjesa më e madhe e klientelës është në punë. Nëse ky orar do të jetë në fuqi edhe pas hapjes, humbjet e bizneseve mund të jenë edhe më të mëdha, pasi tashmë u duhet të mbulojnë edhe pagat e stafit që do mbajnë në punë, megjithëse xhiro mund të jetë minimale. Për Dritan Kadiun, periudha në vijim konsiderohet si një luftë për mbijetesë për të shpëtuar biznesin nga kriza e thellë që ka shkaktuar pandemia Covid-19.

“Besoj se do të jetë një nisje shumë graduale dhe e qetë. Përsa i përket humbjeve, me llogaritë që kemi bërë mendoj se do të jetë një luftë për mbijetesë periudha në vijim. Ndërsa përsa i përket orarit gjatë të cilit jemi të lejuar të ushtrojmë aktivitetin, kjo është gjëja më penalizuese. Mendoj se ka një nonsense, sidomos pas gjithë kësaj periudhe dy mujore pritjeje. Biznesin do ta lirojë pak, por nuk do ta lirojë që të ushtrojë veprimtarinë normalisht. Madje edhe këto kufizime deri në orën 17.30 ndikojnë negativisht në psikozën e njerëzve”,– thotë Kadiu.

Baret dhe restorantet po bëhen gati për rihapjen. Dilemat dhe frikërat janë të shumta, duke u nisur edhe nga protokolli i rreptë i masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Bizneset janë të gatshme të zbatojnë me përpikmëri protokollin e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë për të garantuar shëndetin e stafit dhe klientelës. Ndërsa, janë në pritje të dritës jeshile nga autoritetet për të zgjatur orarin e funksionimit të tyre.

Fundja, askush nuk mund të thotë se koronavirusi “bie në gjumë” deri në orën 17.30 dhe aktivizohet pas kësaj ore…

M.B.