GREQI, 18 prill 2013– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku pronari dhe punëdhënësi i një plantacioni të kultivimit të luleshtrydheve ka qëlluar punonjësit e tij, emigrantë, sepse kërkuan paratë e papaguara të 6 muajve. 

Emigrantët thanë se punojnë 7 orë në ditë për vetëm 22 euro dhe se pronari grek iu detyrohej gjithësej 150 000 euro. 

Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 18:00 në Manolada të Ilias, ku 200 emigrantë nga Pakistani dhe Bangladeshi u mblodhën për të protestuar për paratë që iu takonin, pasi pronari disa herë i kishte gënjyer për datën e dhënies së tyre. Afati i fundit ishte dje, por në vend të parave, emigrantët morrën si përgjigje sulmin me armë nga njëri prej kujdestarëve. Sipas dëshmive të punëtorëve në fillim u qëllua në ajër për frikësim dhe pastaj në drejtim të njerëzve. 

Nga plumbat janë lënduar 33 vetë, të cilët u dërguan në spital, nga ku mësohet se 8 prej tyre janë në gjendje më të rëndë. 

Policia arrestoi punëdhënësin e plantacioneve të luleshtrydheve, ndërsa është në kërkim të 3 mbikëqyrësve të punës. 

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në pjesën më të madhe të opinionit publik dhe përbën lajmin kryesor në median greke. Ajo është tregues i përshkallëzimit të racizmit në Greqi, pas ngjarjes së ditëve të fundit që ndodhi në Selanik, ku shoferi i autobusit, veprimtar i Agimit të Artë, zbriti me dhunë dy afrikanë, sepse nuk kishin biletë.