Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave deklaron se shumë shpejt do të dëmshpërblehen plot 1487 persona, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Sonila Qato tha sot në një njoftim për shtyp, se kjo agjenci ka bërë verifikimet përkatëse dhe ka përpunuar të dhënat për ata pronarë që kanë përfituar deri më sot 57 %, duke miratuar përmes këtij procesi dhe rritjen e masës së kompensimit/shpërblimit me 13 %.
Nga ky proces do të përfitojnë menjëherë shpërblimin 1487 aplikime me vlerë totale 1,052,503,131. “Në vijim ATP angazhohet se do të punoje për të arritur objektivin që brenda një afati të arsyeshëm të arrihet në 100 % masa e shpërblimit, duke përmbyllur në këtë mënyrë një proces mjaft të rëndësishëm. Objektivi i qeverisë dhe i ATP-së është kryerja paralelisht e dy proceseve shumë të rëndësishme atë të nisur tashmë nga ALUIZNI për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe i kompensimit të pronarëve prona e të cilëve preket nga këto ndërtime nga ana tjetër”, tha Qato.