Itali, 17 qershor 2014 – Operacioni antidrogë i mbiquajtur “Criminal Minds”, i filluar në mes të vitit 2010, ndër të tjera u shoqërua me konfiskimin e pasurive të patundshme të Ardian Kazazit, në zonën e Katolikës afër Riminit. Në qytetin e Katolikës, Kazazit, 46 vjeç, iu konfiskua një apartament së bashku me garazhin, të cilët tashmë janë nën juridiksionin e Rojes së Financës.
Pasuri të tjera të shqiptarit Kazazi përfshijnë edhe një klub nate në qytezën e Misanos, por që formalisht është në emër të një gruaje të quajtur Mara Porretta. Ardian Kazazi akuzohet nga policia italiane për përfshirje në trafikun e drogës. Bashkëpronar i fshehtë në klubin e natës dyshohet se është edhe avokati i mirënjohur z. Guerra.
Tashmë këto pasuri, pasi të përfundojnë praktikat burokratike do kalojnë nga juridiksioni formal i Rojes së Financës në atë të Bashkisë së Katolikas. Kjo bashki do t’i përdorë këto pasuri të patundshme për të zbutur emergjencën e strehimit.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





